Mix Bota

Sulmohet në sallën e gjygjit mjeku pedofil i gjimnastikës

Një ngjarje e rëndë, madje e pabesueshme, ka ndodhur sot gjatë seancës gjyqësore që po zhvillohej ndaj ish-mjekut pedofil të kombëtares amerikane të gjimnastikës, Larry Nassar. I akuzuar për abuzime seksuale nga të paktën 265 sportiste, ai rrezikon deri në 175 vite burg, por kjo situatë ka irrituar pa masë babain e njërës prej vajzave të abuzuara. Randall Margraves, ka tentuar të godasë ish-mjekun gjatë seancës gjyqësore dhe vetëm ndëhyrja e rrufeshme e forcave të rendit që ishin në sallë ka evituar përplasjen fizike mes babait të vajzës dhe mjekut Nassar. Gjithçka ka ndodhur gjatë transmetimit “live” të seancës gjyqësore nga të gjitha kanalet televizive.

Babai i vajzës i ka kërkuar gjyqtares 5 minuta kohë për t’u “sqaruar” me mjekun e akuzuar e më pas një minutë kohë, por në të dyja rastet gjyqtarja e çështjes refuzoi. Në ato momente, Randall Margraves i është drejtuar me vrap tavolinës ku ndodhej i akuzuari së bashku me avokatin e tij për ta goditur, por ndërhynë forcat e rendit, që e neutralizuan babain e vajzës dhe e arrestuan. “Ma lini , ma lini atë bir bushtre”, fliste i inatosur babai i vajzës ndërkohë që policia po i vinte prangat. Vajza e tij, Lauren Margaves, ka akuzuar mjekun se ka abuzuar me të kur ka qenë 13 vjeçe. Pas këtij momenti, seanca u ndërpre dhe mjeku Larry Nassar u largua nga salla i shoqëruar nga policia.

Më shumë nga Mix Bota