Futboll

Superiore e rrënuar: borxhe, paga të vonuara dhe shpërbërje në horizont

“Nuk e kuptoj pse klubet shqiptare të ofrojnë kontrata spektakolare, por që pas muajit të dytë nuk paguajnë më, ose i vonojnë pagat pa fund. A nuk do ishte më mirë të ofronin më pak dhe të ishin korrektë çdo muaj?”. Kështu shprehet një ndër futbollistët e huaj që luajnë në Kategorinë Superiore në Shqipëri, duke mos preferuar të dalë me emër në media, pasi siç thotë ai “nuk sheh më kokërr leku, po i dha shkas klubit për gjobë”.

Është një muzikë që e dëgjojmë prej dekadash, por këtë sezon situata është rënduar jashtë mase. Klubet tona, thuajse të gjitha, janë të fundosura financiarisht dhe për arsye të ndryshme disa ekipe rrezikojnë të shpërbëhen në dhjetor e janar, ndërkohë që disa klube janë përjashtuar ose nuk do të licencohen për pjesëmarrje në kupat e Europës, duke e falsifikuar totalisht garën. T’i marrim me radhë:

SKËNDERBEU – Klubi model, për vite me radhë, kur bëhet fjalë për organizimin dhe seriozitetin në marrëdhëniet me futbollistët, por edhe aty situata ka marrë për ters. Përjashtimi nga kupat e Europës dhe gjyqi i madh me UEFA-n në CAS, që pritet pas 2-3 muajsh, kanë futur në siklet të madh klubin, që në verë uli ndjeshëm shpenzimet dhe rinoi ekipin, por ndërkohë pagat u vonuan goxha, aq sa u desh një bojkot i vogël nga ekipi, për të shkundur presidentin Takaj. Ky i fundit e kaloi me humor (“e bëmë për të çorientuar kundërshtarët”), por situata nuk është aq për të qeshur, sepse lojtarët nën zë të thonë se kanë frikë çfarë do të ndodhë nëse klubi do të humbasë gjyqin me UEFA-n.

PARTIZANI – Është klubi më hermetik, aty nuk dalin gjërat në dritë, edhe nga frika e gjobave apo përjashtimeve, që janë në modë, kujtoni janarin e shkuar kur u larguan disa emra të njohur nga ekipi, thjesht se klubi nuk i donte më, pa e vrarë mendjen që ata lojtarë kishin kontrata në fuqi. Në Shqipëri gjërat bëhen me detyrim, me frikë, nuk ka lojtar, sidomos shqiptar, që të ngrejë zërin, sepse e di që rrezikon karrierën në të ardhmen. Megjithatë, edhe te Partizani ka probleme me pagat, disa lojtarë shprehen se ka raste ku presin me muaj të tërë për pagat, me shpresën se disa fitore rresht do t’ua ngrohin xhepat.

FLAMURTARI – Është rasti më tipik i “gjelit majë plehut”. Në Vlorë kanë një dekadë që hedhin miliona pa fund, por shpesh ato nuk përfundojnë te futbollistët. Prej një dekade lojtarët shkojnë në FIFA për të marrë paratë dhe shumica i kanë marrë, edhe në shifra të konsiderueshme. Administratori Sinan Idrizi e mori klubin pa e ditur që kishte një thes me borxhe nga e shkuara dhe me të drejtë ankohet, ashtu si ankohet për faktin se nuk po arrin ta privatizojë klubin, por ndërkohë edhe vetë ka mëkate pa fund, duke qenë se prej disa vitesh në Vlorë më shumë flitet për borxhe, sesa për futboll. Idrizi është një personazh i çuditshëm, i cili nuk kursen asgjë për të afruar lojtarë e trajnerë të famshëm, por herë pas here harron që kontratat duhen respektuar dhe lojtarët kanë familje, nuk mund të presin thesin me para, një herë në 6 muaj. Aktualisht Flamurtari ka disa muaj pa u paguar dhe një nga futbollistët e formacionit kuqezi e thotë hapur: “Do pres deri në dhjetor, nëse nuk paguhem do të marr letrat dhe do të nis gjyq, duke qenë se rregullorja thotë që mjaftojnë 3 muaj pa paguar për t’u larguar pa detyrime ndaj klubit”.

Image may contain: 11 people, people smiling, outdoor

KUKËSI – Klub milioner, ambicioz dhe fitues. Ky është përkufizimi në lidhje me Kukësin këto vitet e fundit, por edhe aty jo gjithçka është perfekte. Lojtarët firmosin kontrata të rëndësishme, por e dinë që kontratat janë përpiluar në mënyrë të tillë që mund t’i lënë pa rroga fare. Sezonin e shkuar dy paga nuk u dhanë fare, pasi ishin gjoba për rezultate jo të mira, por të paktën presidenti Safet Gjici në momente entuziazmi jep premio dhe pak a shumë kompensohet gjithçka. Përtej problemeve me kontratat, që shpesh rezultojnë me ndonjë klauzolë apo firmë të dyshimtë, Kukësi mbetet një ndër klubet më të preferuar për futbollistët, edhe për faktin se vetëm emrin e ka Kukësi, sepse lojtarët jetojnë në Tiranë, stërvitjet bëhen në Tiranë, dhe ndeshjet… pak rëndësi ka!

TIRANA – Një tjetër klub i menaxhuar në mënyrë katastrofike. Probleme brenda e jashtë fushe, afrime e largime pa fund, ankesa nga lojtarët e huaj dhe heshtje nga shqiptarët, që e dinë mirë si hidhet vallja në futbollin tonë. Nga vallja doli Gjergji Muzaka, i cili tashmë ka fituar disa herë gjyqin me klubin dhe pret të marrë mbi 100 milionë lekë. Mesfushori mund ta fundosë klubin bardheblu, që nuk denjon të paguajë dhe nuk ka as para, ndaj situata është kaotike, edhe pse çuditërisht nëpër dritaret e merkatos Tirana shpenzon shumë, aq sa blen edhe kartonë lojtarësh nga Afrika, apo merr ish-lojtarë të Milanit, të cilët futbollin e kanë harruar, por paratë i duan kokërr më kokërr.

LUFTËTARI – Një klub i deformuar në pak muaj, sepse deri në fund të sezonit të shkuar ishte një ndër bukuritë e Superiores, ndërsa tani është një ndër shëmtitë e saj. Probleme ka pasur e do ketë gjithnjë, por ajo që ka ndodhur te Luftëtari është matanë absurdes. Në verë klubi gjirokastrit u njollos nga akuzat për trukim në ndeshjen e Europa League kundër Ventspils, ndërsa tashmë lojtarët kanë kërcënuar me bojkot nëse nuk paguhen. Gënjeshtra pa fund, premtimi i radhës është se këtë javë do të kalojë ndonjë pagë, por askush nuk beson më. Në janar pritet shpërbërja.

KAMZA – Firmat me lojtarët erdhën në gusht, edhe pse përgatitjet kishin nisur në korrik. Që atëherë dukej që diçka nuk shkonte dhe presidenti Naim Qarri tashmë ka dalë hapur, duke denoncuar bashkinë për mosrespektimin e marrëveshjes dhe bllokimin e fondeve për futbollin. Disa trajnerë janë ndërruar, lojtarët janë nën presion të madh dhe nuk është çudi që në janar edhe aty të nisë eksodi, sërish për pagat e vonuara.

KASTRIOTI – Zakonisht një debutuese këto vitet e fundit është dorëzuar pa mbyllur viti. Kujtoni Tërbunin, Korabin e Lushnjën. Tani duket se e ka radhën Kastrioti, sepse rezultatet janë shumë të dobëta, skuadra nuk është cilësore dhe rivaliteti i egër në Superiore i ka demoralizuar drejtuesit, që e kanë kuptuar se nuk ia vlen barra qiranë që të shpenzosh gjithçka për një mbijetesë tepër të vështirë për t’u arritur. Që tani kanë nisur largimet e lojtarëve, ndërsa në janar nuk dihet çfarë do të ndodhë dhe nuk dihet a do t’i marrin pagat deri në fund lojtarët, edhe pse për fat Kastrioti nuk ka firmosur kontrata milionere.

OAZET LAÇ E DURRËS – Nuk janë klubet më të pasur në vend dhe këtë e pranojnë qetësisht, pa preferuar të bëhen pjesë e lojës idiote se kush paguan më shumë dhe kush bërtet më shumë që do titullin kampion. Pashk Laska në Laç është kthyer në një president profesionist e largpamës, skuadra është me moshë të re e me paga normale për realitetin shqiptar, të huajt që vijnë zakonisht janë cilësorë dhe talentet që dalin janë vërtet të nivelit të lartë, shihni Uzunin, por edhe Selmanin, Fangajn, Gjonin e me radhë, sepse lista shkon gjatë. Ndërkaq, në Durrës presidenti Edmond Hasanbelliu është nga ata që flet rrallë, mediat nuk e kanë në vëmendje klubin durrsak dhe tifozët në stadium janë me pikatore. Megjithatë, Teuta mund të krenohet se vepron me një buxhet të vogël, afron lojtarë të mirë dhe askush nuk ikën duke u ankuar për paratë. Pak e sak…

Më shumë nga Futboll