Kampionati Shqiptar

Superiorja dhe Kategoria 1, FSHF-ja vendos piketat e sezonit të ri

Sezoni futbollistik është në përfundim. Verdiktet kryesore janë zbardhur, ndërkohë që disa gjëra të vogla mbeten të zyrtarizohen. Ndër to edhe skuadra e dytë e Superiores, që do të zbresë një kategori më poshtë. Lushnja ka kohë që e ka mësuar fatin e vet, ndërsa Vllaznia duket pranë greminës, për t’i thënë lamtumirë Superiores, ashtu si një tjetër emër i madh sezonin e kaluar, Tirana.

Bardheblutë rikthehen në elitë, por duket se do të bëjnë rrotacion me shkodranët. Nga ana e saj, FSHF-ja ka nisur të mendojë edhe për sezonin e ardhshëm. Kështu, Komiteti Ekzekutiv ka vendosur disa piketa kryesore. Ky organ vendimmarrës ka përcaktuar sot zyrtarisht datat e fillimit dhe mbarimit të sezonit të ardhshëm futbollistik, për Kategorinë Superiore dhe atë të Parë.

Kështu, pas propozimeve të ardhura nga sektori përkatës, u vendos që kampionati i ardhshëm i Superiores, edicioni 2018-2019, të nisë më 19 gusht 2018 dhe të përfundojë më 25 maj 2019. Faza e tretë e Superiores, pas pauzës dimërore, do të nisë më 26 janar të vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, edicioni 2018-2019 i Kategorisë së Parë do të startojë më 9 shtator 2018 dhe do të përfundojë më 11 maj 2019. Po kështu, anëtarët e KE vendosën që ndeshja finale e Superkupës së Shqipërisë të luhet në datën 12 gusht.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar