Kampionati Shqiptar

Superiorja kërkon shtyrjen e rifillimit të kampionatit

Ngricat, dëbora, temperaturat e ulëta, acari që ka përfshirë vendin tonë prej disa ditësh, ka gjasa të jenë prezente tërë janarin.

Ngricat, dëbora, temperaturat e ulëta, acari që ka përfshirë vendin tonë prej disa ditësh, ka gjasa të jenë prezente tërë janarin. FSHF-ja, në projektin e saj, parashikon që Superiorja të rifillojë më 21 janar, pas minifazave përgatitore të dimrit. Mirëpo, situata atmosferike duket se do ta shtyjë këtë datë, sepse temperaturat janë shumë të ulëta, disa stadium nën dëborë, ndërkohë që profesionistët e fushës thonë se në të tilla kushte shtohet rreziku i dëmtimit të futbollistëve.

Nëse vendos shumica e klubeve, në fakt shtyrja e fillimit të fazës së tretë të kampionatit kombëtar të futbollit, Superiorja, mund të konsiderohet fakt i kryer. Kjo për shkak se shtatë klube elitare në futbollin tonë kanë kërkuar që gara të mos rifillojë më 21 janar, por më vonë, duke parë motin e acartë që ka përfshirë Shqipërinë. Këtë kërkesë e bën me dije vetë FSHF-ja, e cila thotë se do të mendohet, për të marrë një vendim.

“7 klube të Superiores kërkojnë shtyrjen e rinisjes së kampionatit. Për shkak të motit të acartë dhe temperaturave shumë të ulëta, nisur edhe nga kërkesat e aktorëve të garës, FSHF-ja ka marrë konfirmimet e pjesës më të madhe të klubeve. Shumica e tyre kërkojnë shtyrjen me një javë të rifillimit të fazës së 3-të të Kategorisë Superiore. Megjithatë, FSHF-ja do të dalë së shpejti me një vendim final zyrtar,” – shkruhet në faqen zyrtare të federatës.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar