Futboll

Surpriza, dështimi dhe fituesi… Stafi i Telesport parashikon Rusi 2018

Spektakli më i madh në botë zhvillohet në Rusi dhe stafi i Telesport ka vendosur të parashikojë atë që do të ndodhë në Kupën e Botës. Doni të dini kush do të jetë ekipi surprizë, ai që do të dështojë dhe fituesin e madh? Vazhdoni të lexoni dhe do ta zbuloni.

Cili do të jetë ekipi surprizë?

 

Alfred Lleshi: Parashikoj Kroacinë si ekip surprizë të këtij Botërori. E shoh deri në gjysmëfinale.

Gentian Spiri: Mendoj se ekipi surprizë i Botërorit “Rusi 2018” do të jetë Kroacia, një skuadër me mjaft yje në përbërje të saj, që luajnë në skuadrat elitare në Europë dhe që mund të bëjnë një paraqitje të mirë.

Ergis Tafalla: Për nga kualitetet që kanë në përbërje, dhe me pak fat në evitimin e përballjeve me “Big-ët” vlerësoj se Belgjika dhe Kroacia duhet të shkojnë larg në fazën e eliminimeve direkte në këtë Botëror.

Ergi Lubani: Mendoj se skuadra që do të befasojë, duke shkuar përse jo deri në finalen e “Rusi 2018”, do të jetë Kroacia, një ekip i përbërë nga futbollistë që luajnë në kampionatet elitare në Europë.

Rigers Avdo: Për mendimin tim ekipi surprizë do të jetë Kolumbia. Ekipi ka ruajtur bazën si dhe trajnerin e para katër vite Jose Pekerman. Plus ka dy yje si James Rodriguez dhe Radamel Falcao.

Denis Hakanaj: Mendoj se ekipi surprizë i Botërorit do të jetë Islanda, që do të befasojë Argjentinën në ndeshjen e parë dhe do të kualifikohet në raundin pasardhës. Kroacia nuk e kalon grupin.

Cili ekip do të dështojë?

Alfred Lleshi: Dështim konsideroj mbetjen e Gjermanisë jashtë gjysmëfinales së Botërorit të Rusisë. Edhe humbja e një tjetër finaleje nga Lionel Messi, personalisht, e konsideroj dështim, sepse është mundësia e tij e fundit për të shtuar në palmaresin tejet të pasur dicka që i mungon, kur krahasohet me Diego Maradonën.

Gentian Spiri: Spanja. Tronditjet e ditëve të fundit me ndryshimin e trajnerit mund të transferohen në fushën e lojës. Mund të ketë një përçarje “Real-Barça”, që do ta dëmtonte skuadrën. Sfida me Portugalinë mund ta vërtetojë këtë gjë.

Ergis Tafalla: Vjen në këtë turne me petkun e kampionit dhe me objektivin për të mbrojtur trofeun e Kupës së Botës, i konsideruar nga të gjithë si një nga favoritët më kryesorë, por mendoj se Gjermania do të jetë dështimi i madh i “Rusi 2018”. Kontigjenti, problemet dhe debatet për çështjen “Ozil-Gundogan”, gjithashtu për portën që iu besua Neuer pas gati 9 muaj pushim, duke lënë në stol Ter Stegen, por jo më pak edhe përjashtimi i Sane, besoj se do të tronditin vetëbesimin e gjermanëve.

Ergi Lubani: Anglia nuk ka bërë “hajër” me një brez të artë ku luanin Cole, Terry, Ferdinand, Gerrard, Lampard dhe Rooney dhe nuk shoh përse duhet të ketë sukses kësaj radhe?! Aq më tepër që atmosfera në Rusi nuk do të jetë aspak e lehtë për “luanët”, të cilët për çështje politike konsiderohen si “armiq”.

Rigers Avdo: Gjermania është ekipi që mund të dështojë këtë vit dhe mendoj se nuk do të shkojë më larg se në çerekfinale. Problemet me portierin, dyshen Ozil-Gundogan, largimi i Sane dhe mungesa e një qendërsulmuesi të fortë do të ndikojnë në formën e kampionëve në fuqi.

Denis Hakanaj: Dështimi do të jetë Gjermania, që nuk do të arrijë të kalojë fazën me grupe, siç ka ndodhur me tre nga katër kampionët e fundit në fuqi të Kupës së Botës.

Cili futbollist do të fitojë “Topin e Artë”?

Alfrfed Lleshi: Duke llogaritur që Argjentina mund të përparojë deri në gjysmëfinale, mendoj se Leo Messi do të ketë mundësinë të shënojë më shumë gola. Numri më i madh i ndeshjeve përbën një favor për Messin në luftën për “Këpucën e Artë”, në raport me Kane dhe Ronaldo, dy rivalë të tjerë potencialë.

Gentian Spiri: Harry Kane. Një talent që pasi po dominon prej 2-3 sezonesh në Premier League mund të shpërthejë në Botëror. Edhe nëse Anglia nuk mund të shkojë larg në Botëror, një golashënuesi si Kane mund t’i mjaftojnë 3-4 ndeshje për të qenë golashënuesi më i mirë.

Ergis Tafalla: Messi është mbajtësi në fuqi i këtij trofeu, të fituar në “Brasil 2014” dhe mendoj se do ta mbaj vetë edhe në “Rusi 2018”. Ky është shansi i tij i fundit për të tërhequr Argjentinën drejt finales së Botërorit, me shpresën e madhe për të fituar trofeun e Kupës së Botës. Edhe nëse nuk do t’ia dalë të finalizojë objektivin, do të jetë padyshim protagonisti kryesor në Rusi.

Ergi Lubani: Lionel Messi. Vë bast që futbollisti më i mirë i historisë së futbollit do të jetë futbollisti më i mirë në “Rusi 2018”, ashtu si u vlerësua në “Brazil 2014”, edhe pse humbi në finale.

 

Denis Hakanaj: Harry Kane do të fitojë “Topin e Artë” në Rusi 2018. Sulmuesi anglez mund të shënojë me të djathtën, të majtën dhe me kokë. Me pak fjalë, një makineri perfekte golash.

Rigers Avdo: Messi fiton Kupën e Botës dhe Topin e Artë.

Cila skuadër do të fitojë Botërorin 2018?

Alfred Lleshi: Brazili do ta fitojë këtë Botëror falë talentit të madh që posedon, grupit të konsoliduar dhe kthjelltësisë taktike, sidomos në mbrojtje, e injektuar kjo nga trajneri Titte, e vlerësuar nga specialistë të njohur të futbollit.

Gentian Spiri: Belgjika. Një ekip me shumë talente, ndoshta skuadra me mesfushën më magjike e Botërorit (De Bruyne dhe Hazard mbi të gjithë), ekipi i vetëm europian që mund t’i bëjë ballë rivalëve amerikano-latin, veçanërisht Brazilit.

Ergis Tafalla: E kam të pamundur të zgjedh mes dy favoriteve, Franca/Argjentina. Për Francën përbërja e kontigjentit, harmonia mes të rinvje shumë të talentuar dhe eksperiencës, nën drejtimin e gjatë të trajnerit Deschamps, konsideroj se i bëjnë të padiskutueshëm për të mbërritur në finale. Ndërsa, Argjentina, për motivin më të madh: Messi! Është padyshim jashtëtokësori që luan mbi tokë, prej të cilit pritet gjithçka. “Rusi 2018” është shansi i tij i fundit për të fituar Kupën e Botës e për t’ju shmangur një herë e për gjithmonë hijes së Maradonës.

Ergi Lubani: Brazili do të largohet nga Rusia me titullin e gjashtë kampion të planetit. Personalisht nuk shoh pika të dobëta te skuadra e Titte.

Denis Hakanaj: Anglia do të fitojë Botërorin falë talenteve të shumta që ka në përbërje dhe falë një sulmuesi, si Harry Kane. Të gjithë presin që “Tre Luanët” të kthehen në “Tre Mace” pas kalimit të grupeve, siç ndodh zakonisht, por këtë herë ata do të shkojnë deri në fund dhe do të fitojnë Kupën e Botës.

 

Rigers Avdo: Ekipi që do të fitojë Kupën e Artë do të jetë nga Amerika Latine. Brazili ose Argjentina kanë lojtarët e duhur për të fituar. Por unë zgjedh Argjentinën.

Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit diçka që t’ju pëlqente në këtë Botëror, çfarë do të ishte?

Alfred Lleshi: Do doja që Messi të fitojë Botërorin dhe të kompletohet në krahasimet që do t’i bëhen me bashkatdhetarin e tij, Maradona, por jo vetëm. Një përplasje e Messit dhe Cristiano Ronaldos në finale, do të ishte “qershia mbi tortë”, sepse do t’i vinte vulën më të mirit mes dy yjeve të dekadës së fundit, “pronarëve” të “Topit të Artë” në 10 vitet e fundit.

Gentian Spiri: Femrat e bukura ruse që festojnë në shkallët e stadiumit, për të dhuruar spektakël, ashtu si 4 vite më parë bënin fanset braziliane apo dy vite më parë tifozet shqiptare në Europian. Në Botëror duhet edhe pak gossip…

Ergis Tafalla: “VAR”. Është risia e padiskutueshme e këtij Botërori dhe shpresoj që të mbahet mend për vendimet objektive, më shumë se për vonesat në lojë dhe emocionet e munguara.

Ergi Lubani:  Uroj vetëm që të mos jetë “i mërzitshëm” si ishte Euro 2016 dhe që të ashtuquajturat ekipe të mëdha, me futbollistë të mëdhenj të vazhdojnë deri në fund…

Denis Hakanaj: Do të më pëlqente të shihja një përballje Leo Messi-Cristiano Ronaldo, që do t’i vinte përfundimisht kapakun debatit se kush është më i miri i të gjitha kohërave.

Rigers Avdo: Unë do të kisha dëshirë të shihja një lojë të hapur dhe sa më shumë gola. Përveç kësaj, asnjë problem me tifozët jashtë stadiumeve.

Më shumë nga Futboll