Futboll

Surpriza e javës, Laçi dhe fati largojnë Partizanin nga kreu

Një shtyllë e Bathës në sekondat e fundit të minutave shtesë, ka mbyllur në mënyrën më drithëruese ndeshjen mes Partizanit dhe Laçit, e përfunduar në barazim pa gola. Padyshim, surpriza më e madhe e javës së 33-të, që largon të kuqtë nga kreu, për të zbehur tashmë edhe më shumë shpresat e Partizanit për titullin kampion. Nga ana tjetër, skuadra e Laçit merr një pikë shprese në garën e saj për mbijetesë, ndonëse mbetet ende në zonën e akullt, por tashmë me vetëm 2 pikë më pak se Tirana në vend të tetë.

 

Pjesa e parë

Janë miqtë ata që japin sinjalin e parë, kur kishin kaluar vetëm pesë minuta nga fillimi i takimit, me Mensah që gjuan nga jashtë zone, por Hoxha neutralizon rrezikun. Të kuqtë nuk vonojnë të përgjigjen me bomberin Ekuban, që vetëm tre minuta më pas, ka shanset të kalojë Partizanin në avantazh falë shërbimit të Torassas, por Selmani i largon topin dhe rrezikun. Janë disa aksione të të kuqve me protagonistë Ekuban, Bathën dhe Malotën, me protagonist kryesor Trashin në rolin e shërbyesit, por asnjë nga finalizimet e të kuqve nuk ka përfunduar në rrjetën e kurbinasve. Rasti më flagrant i kësaj pjese të parë është regjistruar në të 28’, kur Vila, duke përfituar edhe nga një gabim i mbrojtjes laçiane në hyrje të zonës, depërton dhe shërben në mënyrë perfekte për Torassan që me portën e boshatisur, në vend që të dërgojë topin në rrjetë, e largon atë mbi traversë me një goditje me kokë, duke bërë atë që nuk mundi dot ta bëjë mbrojtësi i Laçit.

Pjesa e dytë

Edhe në këtë fraksion të dytë të lojës janë pretendentët për titull ata që tentojnë më shumë të gjejnë golin e avantazhit, por pa qartësinë dhe forcën e duhur. Me sulm të përforcuar, të kuqtë shpërdorojnë, madje edhe atëherë kur janë në pozicion të parregullt, sikurse ndodhi në minutën e 60’ me protagonist Sukajn. Të kuqtë i afrohen portës së Laçit në të 68’, pas një shërbimi të Ekuban për Sukajn, nga përplasja e të cilit me mbrojtjen kurbinase, është Ramadani ai që synon portën, por topi përfundon jashtë kuadratit. Në të 73’ Sukaj provon të bëjë rolin e shërbyesit për Torassan, por topi largohet në limite nga mbrojtja laçiane. Vetëm pak minuta më pas është sërish Sukaj që gjatë një aksioni sulmues pretendon për penallti për mbajtje në zonë, por arbitri bën shenjë për vijimin e lojës. Në të 80’ janë futbollistët e Laçit ata që kanë shanset të surprizojnë Partizanin në një kundërsulm të shpejtë dhe efektiv, por Ramadani ndalon topin me dorë në mesfushë, duke ndërprerë një askion të rrezikshëm, për tu ndëshkuar vetëm me karton të verdhë, pavarësisht protestave të laçianëve. Në të 85’ Sukaj tenton një finalizim personal nga jashtë zone me një gjuajtje të fuqishme, por qëndrore, aq sa Selmani nuk e ka të vështirë ta neutralizojë. Në të 90+3’ Sukaj ekzekuton një goditje spektakolare me kokë nga afër pikës së penalltisë, por Selmani përgjigjet me po aq mjeshtëri duke e larguar topin mbi traversë. Në minutën e fundit shtesë është Batha që duke përfituar nga dalja e Selmanit, gjuan me kokë nga jashtë zone, por gjen shtyllën që më pas dërgon topin në duart e portierit të Laçit. As 5’ minutat shtesë të akorduara nga arbitri i katërt nuk kanë mjaftuar që Partizani të gjejë golin e fitores, me Laçin që shfrytëzoi si duhet situatat për të ruajtur barazimin.

Partizani-Laçi 0-0

Partizani: Hoxha, Fejzullahi, Malota, Atanda, Kalari, Batha, Trashi, Vila, Torassa, Bardhi, Ekuban.

Trajner: Sulejman Starova

Laçi: Selmani, Musaj, Lulaj, Qaqi, Sefgjini, Gjoni, Dema, Nika, Junior, Jonuzi, Mensah.

Trajner: Stavri Nica

Gjyqtar: Remzi Sadiku

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll