Futboll

Surpriza, familja Berlusconi kërkon të blejë skuadrën e Genoa

E përditshmja italiane “Corriere Della Sera” ka zbuluar sot se Pier Silvio Berlusconi, djali i Silvio Berlusconi, synon të blejë skuadrën e Genoa në Serinë A. Presidenti i këtij ekipi, Enrico Preziosi, deklaroi pak ditë më parë se skuadra është shitur, pa bërë me dije se cili është blerësi dhe kush do të jetë pronari i ri. Por ka gjasa që blerësi të jetë Pier Silvio Berlusconi, ndonëse kjo marrëveshje nuk konfirmohet.

Mësohet gjithashtu se ajo që ka ndalur vëllanë ka qenë motra e tij Marina, që ka kundërshtuar faktin që familja e tij të vazhdojë dhe kompania “Fininvest” të hedhë para në botën e sportit. Edhe presidenti aktual i Genoa, Preziosi, konfirmon faktin se ka patur bisedime me Berlusconin edhe pse jo në mënyrë direkte.

Familja Berlusconi

Në rast se kjo marrëveshje arrihet do të ishte një surprizë, me familjen Berlusconi që rikthehet në botën e futbollit edhe pse me një ekip tjetër, por me po kaq historinë në futbollin italian. Silvio Berlusconi pak muaj më parë shiti Milanin te kinezët dhe duket e vështirë të mendosh se ai mund të drejtojë një ekip tjetër edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për djalin e tij Pier Silvio.

Më shumë nga Futboll