Boks

Surprizon Mayweather, më 31 dhjetor do të duelojë ndaj Tenshin Nasukawa

Boksieri amerikan Floyd Mayweather, përmes një konference shtypi të zhvilluar sot, ka bërë me dije se më 31 dhjetor do të duelojë ndaj Tenshin Nasukawa (sportist i kickboxing), duel i vlefshëm për Rizin Fighting Federation. Kjo përballje do të zhvillohet në “Saitama Super Arena”, në Saitama të Japonisë, një qytet afër Tokios.

Të dy sportistët luftarakë kanë qenë të pranishëm në konferencën e shtypit, ku kanë bërë publike këtë sfidë. Mayweather është 21 vjet më i madh se rivali i tij 20-vjeçar Nasukawa. Nuk dihet ende nëse kjo sfidë do të zhvillohet me rregullat e boksit, MMA-së apo një kombinim i të dyjave, por mësohet se për këtë çështje palët janë ende në diskutim.

Tenshin Nasukawa është një sportist i kickboxing në Japoni, që duelon në peshën “featherweight” (pesha pupël), ndërsa Mayweather ka dueluar për herë të fundit në një peshë më të lartë (welter). Gjithashtu, nuk konfirmohet ende nëse kjo është një sfidë zyrtare apo Mayweather duelon sepse ka nevojë për parà.

Gjithsesi, kjo sfidë ndaj sportistit japonez ishte një surprizë për fansat, pasi të gjithë presin që Mayweather të duelojë ndaj rusit Khabib Nurmagomedov. Boksieri amerikan rikthehet kështu aktiv 18 muaj pas duelit të fundit ndaj Conor McGregor (gusht 2017).

Më shumë nga Boks