Connect with us

Kampionati Shqiptar

Takaj: Kukësi-Partizani, ndeshje e fortë. Më pëlqeu rezultati!

Ardian Takaj ndihet i qetë. Skuadra e tij ka arritur të rikuperojë pozicione dhe të kapë kreun e Superiores.

Ardian Takaj ndihet i qetë. Skuadra e tij ka arritur të rikuperojë pozicione dhe të kapë kreun e Superiores. Me fitoren e fundit në Shkodër, Skënderbeu ka revizionuar vetveten, aq sa pikët diferencë me Kukësin janë zhdukur tashmë. Presidenti i kuqebardhëve vlerëson punën e trajnerit Ilir Daja, por flet edhe për tema të tjera të nxehta të kampionatit. I ftuar në emisionin “Zona Gol” të Alban Xhihanit, në “Supersport”, Takaj ka nënvizuar:

“Kukësi-Partizani ishte ndeshje kartoline, që më pëlqeu. Natyrisht, më pëlqeu edhe rezultati. Ishte një sfidë shumë e luftuar. Jemi në një moment, kur të gjithë bëjnë llogaritë. Ai që do të gabojë më pak, do të fitojë titullin. Kampionati është shumë i fortë, sepse nuk mund të thuash se kam fitore të sigurt në ndonjë fushë, qoftë kjo edhe e skuadrës së vendit të fundit. Po të bësh analizën e kampionatit, gabon nëse mendon se ka kundërshtarë të dobët. Edhe Skënderbeu, edhe rivalët tanë, pikët i kanë lënë atje ku mendoheshin ndeshje të lehta. Ilir Daja e ka kthyer Skënderbeun në nivelin e viteve të kaluara, ka ndryshuar shumë loja në sulm dhe mbrojtje. Daja po punon shumë mirë, është I përshtatshëm. Rinovimi me të? Nuk jam person, që jap ultimatume.

Objektivi i Dajës është titulli, por edhe në rast se kjo nuk realizohet, nuk vendoset largimi i trajnerit. Kampionati ka edhe fatin brenda. Unë mendoj se do të jemi shumë të fortë deri në fund dhe do të shpallemi kampionët e Shqipërisë. Eshtë viti i duhur që t’i synojmë dy trofetë. Edhe Kupa e Shqipërisë është objektiv i këtij sezoni. Menaxhimi i klubit? Nuk po bëhem i pasur nga futbolli, sepse shpenzimet janë të mëdha. Unë kam hapur një derë për futbollin tonë, duke bërë të mundur diçka që më parë ishte e pamundur. Të gjitha ekipet shqiptare duan të ndjekin rrugën e Skënderbeut. Do të kërkojmë sërish grupet e “Europa League”, apo, pse jo, të Champions-it.

Sa shpenzohet për një ekip fitues? Shifrat për dy vendet e para duhet të kalojnë 1.2 apo 1.3 milionë euro. Skënderbeu i ka pasur edhe më të larta, sepse kemi pasur shpenzime më shumë. Objektiv nuk mund të jetë vetëm marrja e një titulli, pasi shpenzimet janë më të mëdha se fitimet nga UEFA apo FSHF-ja. Nëse fiton kampionatin dhe eliminohesh në turin e parë në Europë, atëherë nuk ke fituar asgjë, mbulohet vetëm një pjesë e shpenzimeve. A është një rinisje e kampionatit, kur kanë mbetur edhe 13 javë kampionat? Rivaliteti është shumë i madh. Nëse nuk shpallemi kampionë nuk do të ndodhë asgjë. Por, ne jemi të bindur te skuadra dhe stafi se do të triumfojmë.”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar