Bundesliga

Talenti i Dortmund “kërcënohet” nga shokët e skuadrës: Mos e bëj më!

Talenti i Borussia Dortmund, Jadon Sancho, ka pranuar se ai është paraljmëruar nga shokët skuadrës që të mos i turpërojë më atë në stërvitje duke i kaluar topin mes këmbëve. Sancho ka befasuar të gjithë verën e kaluar kur vendosi të largohej nga Manchester City për të shkuar te Dortmund në një operacion që ka pasur një vlerë të përafërt me 10 milionë sterlina. Pas një fillimi të ngadaltë në kampionatin gjerman, lojtari i ri filloi të tregonte cilësitë e tij nën drejtimin e trajnerit Peter Stoger para se të pësonte një dëmtim në kavilje.

Në një intervistë të dhënë për “JD Football”, Sancho ka zbuluar se është paralajmëruar nga shokët e tij të skuadrës që të mos i turpërojë më në stërvitje dhe ka bërë të ditur se loja e tij është përmirësuar pas kalimit në Gjermani. “Ia kalova topin mes këmbëve kapitenit të Dortmund (Marcel Schmelzer) dhe City-it (Vincent Kompany) dhe ata thanë “mos e bëj më”. Nuk u ka pëlqyer”, ka zbuluar ai. “Kam qenë gjithmonë i aftë me topin që në moshë të vogël, por tani nuk bëj shumë lëvizje të tilla sepse ritmi i ndeshjeve është bërë më i shpejtë dhe tani situata është më serioze. Tani, jam më i pjekur. Nuk jam arrogant, por dua të tregoj atë që jam në gjendje të bëj”.

Sancho nuk është në dispozicion të Dortmund për momentin pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e fituar kundër Koln shkurtin e kaluar. Ai ka luajtur gjashtë ndeshje në Bundesliga deri tani dhe ka dhënë një asist në takimin e barazuar 1-1 kundër Hertha-s në janar. Transferimi i tij te Dortmund ka ardhur pas paraqitjes së mirë të bërë në Kupën e Botës për Under 17 me Anglinë, ku ai ka shënuar tre gola në tri ndeshje para se të thirrej nga gjigantët e Bundesliga-s.

Më shumë nga Bundesliga