Seria A

“Tani jam vetëm Francesco, por do ta ngjis Roma-n shumë lart”

“Do të jem pjesë e klubit, por po mundohem të kuptoj mirë se cili do të jetë roli im si drejtues. Gjithsesi, në kartëvizitën time do të jetë shkruar vetëm Francesco, AS Roma”. Francesco Totti ka folur për herë të parë për televizionin e klubit verdhekuq nga 28 maji, dita kur i ka thënë lamtumirë futbollit. “Futbolli, – ka thënë Totti, – është gjithçka për mua. Nuk doja që ajo ditë, që përmblidhte 25 vite histori me Roma-n, të mbaronte kurrë. Unë e kam marrë gjithmonë seriozisht futbollin dhe e njëjta gjë do të jetë edhe në detyrën e re. Me eksperiencën time do të mund ta ndihmoj shumë klubin”.

 

Në lidhje me rolin: “Natyrisht, do të më duhet pak kohë për të kuptuar mirë se çfarë duhet të bëjë. Do të kërkoj të jem në gatishmëri për të gjithë. Do të punojë me Roma-n, Monchi-n, Pallotta-n, Baldissoni-n, Di Francesco-n. I njoh të gjithë mirë dhe kjo do të mi bëjë gjërat më të lehta. Dua të jem një personazh i rëndësishëm për Roma-n në shërbim të Roma-s”.

 

Pikërisht drejtori sportiv, ndoshta sepse është një ish-futbollist, ka gjetur çelësin e duhur për ta kuptuar dhe për ta ndihmuar të kuptojë: “Kemi bërë një bisedë të bukur, më pas kam folur me Pallotta-n për disa gjëra që nuk ishin shumë të qarta. Tani jemi sqaruar dhe do të kërkojmë ta ngjisim Roma-n sa më lart të jetë e mundur”. Bashkë me Di Francesco-n: “Me Eusebio-n kam një marrëdhënie shumë të madhe, flisnim edhe më parë, do të jetë një nga vlerat e shtuara të këtij ekipi”. Në fund, e kanë pyetur se si do ta thërrasin tani. Duke buzëqeshur, ai ka thënë: “Francesco, si gjithmonë. Francesco AS Roma”.

Më shumë nga Seria A