Kombëtarja

Tarashaj e Kamberi, 3 gola në derbi, mundin Sadikun e Xhimshitin

Nga ndeshja në ndeshje futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatin zvicerian po bëhen protagonistë. Por sot nuk ka qenë Gashi, Sadiku, Kukeli apo Xhaka, që jemi mësuar t’i shohim decizivë për skuadrat e tyre. Protagonistët e sotëm e kanë emrin Shani Tarashaj dhe Florian Kamberi, të cilët luajnë me Grasshopper. Në derbin me Zyrihun kosovarët kanë shënuar tre gola, duke qenë protagonistë absolutë përballë Armando Sadikut dhe Berat Xhimshitit. Tarashaj ka shënuar golin e parë në minutën e 8-të, por Zyrihu ka barazuar në minutën e 33-të. Kur pritej të shënonte Sadiku për Zyrihun, sërish Tarashaj në minutën e 42-të shënon.

tarashaj 2

Tarashaj duke festuar me shokët e ekipit

Në pjesën e dytë, Zyrihu barazon në minutën e 60-të, 2-2. Xhimshiti merr karton të verdhë në të 65-ën. Ndërsa në të 84-ën në fushë hyn edhe një tjetër shqiptar, Kamberi, teksa bëhen 4 të tillë. Tarashaj do të zëvendësohej në minutën e 90-të. Kur u mendua se ky derbi jo vetëm i qytetit të Zyrihut, por edhe mes shqiptarëve, do të përfundonte në barazim, Kamberi shënon golin e fitores për Grasshoppers, duke i dhënë 3 pikë me mjaft vlerë. Sadiku dhe Xhimshiti janë aktivizuar për 90 minuta të plota, ndërsa nuk ka qenë i grumbulluar Burim Kukeli, një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare, pjesëtar i skuadrës së Zyrihut.

kamberi

Florian Kamberi, autori i golit të fitores në derbin e sotëm

Sa u përket protagonistëve të sotëm, Tarashaj kishte shënuar edhe në ndeshjen e parë të kampionatit, duke u ngjitur kështu në kuotën e tre golave. Gjithashtu, Shani Tarashaj i ka kaluar të gjitha ekipet zinxhirë të kombëtares së Zvicrës dhe aktualisht 20-vjeçari është me U-21. Duket se mesfushori kosovar e ka zëvendësuar më së miri largimin e Abrashit te Grasshopers. Ndërsa për 20-vjeçarin tjetër, Florian Kamberi, ishte ndeshja e dytë që aktivizohet në Superligën zviceriane dhe duket fati ka qenë me të, pasi i ka dhuruar skuadrës së tij 3 pikë me golin e shënuar në minutën e 93-të të ndeshjes.

aliji

Naser Aliji me fanellën e Vaduzit

Sot kanë luajtur edhe dy legjionarët e tjerë të Kombëtares shqiptare. Naser Aliji me Vaduz është aktivizuar për 90 minuta në transfertën e Luganos, teksa ka marrë edhe një karton të verdhë. Vaduz ka humbur ndeshjen. Edhe Jahmir Hyka ka luajtur jashtë fushe me Luzern. Por ndryshe nga Aliji, Hyka ka fituar ndeshjen, ndërsa vetë është aktivizuar në minutën e 81-të. Gjithsesi, për aq minuta ka bërë një paraqitje të mirë.

[total-poll id=61501]

Më shumë nga Kombëtarja