Futboll

Tare: “Modeli ynë është Juventusi. Adhuroj tifozët gjermanë”

Lazio është në një moment aspak pozitiv, sepse dy humbje rresht ndaj Frankfurtit dhe Romës kanë acaruar tifozët, që kanë sulmuar disa nga lojtarët kryesorë të ekipit, duke nisur nga Milinkovic e Luis Alberto, dy ndër emrat më të kërkuar në treg, të cilët akuzohen se nuk po japin maksimumin. Për këtë çështje dhe tema të tjera ka folur drejtori sportiv Igli Tare, i cili ka folur në një intervistë ër La Repubblica.

MILINKOVIC – “Për Milinkovic është mbi të gjitha një çështje e formës fizike: ka ardhur me vonesë nga Kupa e Botës dhe i mungon përgatitja atletike bazë. Është diçka themelore për një lojtar ‘të rëndë’ si ai. Mund të ketë ndikuar merkatoja dhe thashethemet e largimit gjatë verës, por në fund qëndroi dhe tashmë duhet të rigjejë formën e plotë”.

LUIS ALBERTO – “Luis Alberto? Për të është një çështje mendore: ka nevojë të ndihet i paprekshëm, por në një klub ambicioz si Lazio nuk është e mundur të gabosh shumë ndeshje dhe të mbetesh titullar. Duhet ta rifitojë vendin në ekip, si burrë, të kthehet të bëjë diferencën. Ai është një lojtar i nivelit të Real Madridit, cilësinë e tij e ka treguar, tani duhet të hedhë hapin e madh cilësor. Ka nevojë të përmirësojë formën fizike dhe të punojë mbi vetëvlerësimin”.

OBJEKTIVAT – “Modeli ynë është Juventusi: kush luan, edhe nëse ishte në stol ndeshjen e mëparshme, jep maksimumin. Gjithnjë. Për ne prioriteti mbetet kampionati, me Champions League si objektiv. Do të jetë e vështirë, këtë vit Seria A është më e ekuilibruar, janë vetëm 4 pikë diferenca nga vendi i tretë deri te vendi 12. Lazio ka një pikë më pak nga sa duhej të  kishte, me Napoli-n barazimi do ishte më i drejtë”.

INZAGHI – “Trajneri është gjithnjë e më i pjekur, e di që në momente të vështira mund të mbështetet te stafi, skuadra dhe klubi. Kam dëgjuar të flitet për shkarkim dhe për marrëdhënie jo të mira me ekipin: shpikje. Tifozët e kanë mbështetur shumë skuadrën, ideale do ishte të kalonim nga 30 mijë në 40 mijë tifozë në stadium. Hamburgu në Gjermani, për shembull, ka 55 mijë tifozë besnikë, Kaiserlautern ka 45 mijë në Serinë C”.

Më shumë nga Futboll