Volejboll

“Tarragona 2018”, kombëtarja e meshkujve humbet ndaj Tunizisë

Kombëtarja e meshkujve në volejboll është mundur sot paradite 3-0 nga Tunizia, ndeshje e luajtur në stadiumin “Tarraco Arena Plaça” dhe e vlefshme për Lojërat mesdhetare “Tarragona 2018”. Kjo ishte sfida e parë e kuqezinjve në këtë event Mesdhetar, e vlefshme për Grupin D, ndërkohë që nesër Shqipëria do të luajë edhe ndaj Turqisë, rivales tjetër të grupit.

Një lojë me hope e kombëtares shqiptare, që në të trija setet nuk kishte grintën dhe forcën që pritej, duke qenë gjithnjë në ndjekje të rivalëve Mesdhetarë, më superiorë në parket dhe e merituan fitoren. Të trija setet ishin fotokopje të njëra-tjetrës, me Tunizinë që shkëputej gradualisht dhe më kalimin e minutave thellonte shifrat, duke e merituar fitoren.

Po nesër nis edhe aventura e ekipit kombëtar të femrave në Lojërat mesdhetare, e cila ndodhet në Grupin C. Vajzat kuqezi nesër do të luajnë ndaj Kroacisë (ora 11:00), ndërsa rivalja tjetër e grupit është Franca. Kombëtarja e vajzave vjen në këtë event pas vendit të tretë të arritur në Divizionin e Argjendtë të Ligës së Europës, një javë më parë në Suedi.

Më shumë nga Volejboll