Mix Vendi

“Tarragona 2018”, Shqipëria sërish pa medalje, shpresë nga atletika

Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” që po zhvillohen në Spanjë vijojnë të jenë jo rezultative për sportin shqiptar, pasi një javë pas fillimit të garave ende nuk po vjen medalja e parë. Sot ka qenë radha e çiklizmit për të garuar në këtë turne, në disiplinën e rrugës , ku për Shqipërinë kanë marrë pjesë 3 sportistë.

Më i miri nga kuqezinjtë në këtë garë ishte Ylber Sefa, që u rendit në vendin e 21-të, duke mbërritur në finish 7’32” larg fituesit (italiani Jalel Duranti, 3h43’50”). Ndërsa dy çiklistët e tjerë, Ridion Kopshti dhe Xhuliano Kamberaj nuk e përfunduan garën.

Në karate, sërish zhgënjim për Shqipërinë në Mesdhetare. Xhino Toli u mund 8-0 nga italiani Luca Maresca, duke u eliminuar që në startin e turneut, ndërsa Bekim Basha ishte i pafat. Ai doli barazim 0-0 ndaj francezit Maxime Relifox, por me short triumfoi rivali.

Në sportin e boksit, Bekim Vjerdha është mundur pa probleme nga turku Bayram Malkan në peshën 81kg, por nuk ka zhgënjyer Krenar Zeneli në peshën 56kg, që ka fituar me lehtësi ndaj rivalit boshnjak Alen Rahimic, duke avancuar më tej.

Më shumë nga Mix Vendi