Kombëtarja

Taulant Seferi: Endrra ime është që të thirrem nga Panucci sa më shpejt

Taulant Seferi ka dhënë një intervistë për “Lajmi TV” në Maqedoni, ku ka folur për shumë gjëra. Lojtari i Shqipëria U-21 është pikë referuese në formacionin e Alban Bushit, ndërkohë që synimet e tij janë për fanellën e Kombëtares A, që drejtohet nga Christian Panucci. Mediat maqedonase u tërbuan kur Seferi pozoi pas miqësores me Bjellorusinë me një bluzë të bardhë, sipër së cilës shkruhej “Kumanova është Shqipëri”. Lidhur me të gjitha këto, djaloshi shtatlartë dhe bjond, ka nënvizuar:

“Me Bjellorusinë kemi bërë dy ndeshje shumë të bukura dhe kjo gjeneratë e 1999 ka kualitete shumë të mira. Kemi merituar fitoren në të dyja takimet me Bjellorusinë, por e rëndësishme është që kemi dalë me fitore në një prej tyre.

Kam ndier emocione të mëdha duke mbajtur shiritin e kapitenit të Shpresave. Për mua ishte një nder dhe krenari. Nuk e kisha pritur, u nisëm prej hotelit në stadium dhe, kur pashë shiritin te garderoba ime, u befasova shumë.

Kur e bëra foton me fanellën e Shqipërisë, duke thënë se “Kumanova është Shqipëri”, nuk e kisha qëllimin për të prekur maqedonasit. Megjithatë, ai është mendimi imi dhe i çdokujt që e ndien veten shqiptar. Nuk doja të provokoja maqedonasit, pasi kam luajtur aty, por dua të theksoj edhe njëherë se ky është mendimi i të gjithë shqiptarëve.

Kam parë fyerjet e maqedonasve pas këtij veprimi të bërë nga ana ime, por nuk më interesojnë ato, dua të eci përpara. Tashmë ëndrra ime është që të thirrem nga Panucci sa më shpejt, do të vë shpirtin në fushë me kombëtaren”.
Nga Shkupi, RESHAT IBRAHIMI

Më shumë nga Kombëtarja