RUSI 2018

Tavecchio-Ventura, ja çfarë thoshte në 2016-ën dyshja tragjikomike e futbollit italian

Le të kthehemi 1 vit e gjysmë mbrapa në kohë: korriku i 2016-ës, prezantimi i Giampiero Ventura si trajneri i ri i Italisë. I pranishëm, në konferencë për shtyp, edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio. Dy njerëzit që kanë udhëhequr Italinë drejt përjashtimit nga Kupa e Botës, për herë të parë pas 60 vitesh. Është drithëruese të lexosh deklaratat e bëra atë ditë, duke parë atë që ka ndodhur në dy muajt e fundit, nga humbja me Spanjën te barazimi 0-0 me Suedinë në “San Siro”.

Këto kanë qenë fjalët e para të Ventura-s, si trajneri i ri i Italisë: “Jam i lumtur, por mbi të gjithë krenar që jam zgjedhur të përfaqësoj një nga kombëtaret më të rëndësishme të futbollit. Ekziston mundësia të përmirësojmë punën e bërë nga Conte, që të jemi mes protagonistëve. Ky është një moment historik, një afrim i popullit italian me fanellën ‘axurre’, një e mirë kjo që nuk duhet humbur, por stimuluar”. Dhe më tej: “Dua një Itali entuziazmuese, pres me padurim të filloj punën. Nëse bëjmë një hap përpara, mund të befasojmë. Do ta nisim nga 23 lojtarët e Europianit, më pas do të ketë hapësira për të rinjtë, por pa i djegur”.

Pas tij ka folur Tavecchio: “Ventura është një mjeshtër i futbollit. Ka qenë gjithmonë në mendjen time si trajneri i ardhshëm i Italisë, kemi kaluar çdo pengesë të mundshme për të qenë këtu bashkë. Ai që bëhet trajner i kombëtares italiane ka arritur kulmin e karrierës. Jemi të kënaqur që do t’ia besojmë atij skuadrën. Do të ketë dorë të lirë. I uroj një debutim të mbarë dhe një rrugëtim të rëndësishëm”.

Fjalë, si “protagonistë”, “moment historik”, “Italia që entuziazmon”, “mjeshtër i futbollit”, marrin një kuptim tragjikomik sot. Një turp i vërtetë që vazhdon akoma tani, me një trajner që refuzon të bëjë atë që duhej të kishte bërë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me Suedinë (të jepte dorëheqjen) dhe një president që merr kohë, për të gjetur një mënyrë për të shkarkuar vetëm Ventura-n dhe për të shpëtuar veten. Tavecchio dhe Ventura, një dyshe tragjikomike që është bërë pjesë e historisë së futbollit italian, por për arsye e gabuara.

Më shumë nga RUSI 2018