Formula 1

Te Ferrari kërkojnë fajtorin pas katastrofës, akuza ndaj Verstappen

Dështimi i Ferrarit në garën e zhvilluar dje në Singapor ka lënë gjurmë te makina italiane, që në një pistë ku duhej të dilte me fitore, u largua me 0 pikë. Të dy pilotët e saj, Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen lanë garën vetëm pak metra pas startit, të përfshirë në një aksident së bashku me makinën Red Bull të Max Verstappen. “Nuk mund të them shumë për atë që ndodhi. Bëra një start normal të garës, pashë Max që po afrohej dhe i mbylla rrugën. Më pas ndjeva goditjen dhe këtu gjithçka përfundoi për mua”, tha Vettel.

 


Më i drejtpërdrejtë ka qenë Kimi Raikkonen, që ka ngritur gishtin kundër pilotit të Red Bull. “U nisa mirë, më pas më goditën. E paguam shtrenjtë këtë incident. Nuk kisha asgjë në dorë për të evituar këtë përplasje. 100 metrat e para të garës ishin të mria, por gjithçka u mbyll aty. Pyesni Verstappen se përse nuk frenoi por më goditi”, tha piloti finlandez. Ndërsa shefi i Ferrarit, Maurizio Arrivebenë ishte më diplomatik: “Janë gjëra të shëmtuara, por që për fat të keq ndodhin në Formula 1. Megjithatë, nuk heqim dorë nga gara për titull”.

Më shumë nga Formula 1