Argetim

As “Të gjitha Paratë e Botës” nuk e shpëtojnë dot, anulohet premiera

Vazhdojnë problemet për Kevin Spacey. Teksa vazhdojnë të dalin detaje të reja dhe akuza të tjera për abuzim seksual, një tjetër nga projektet e aktorit hollivudian ka vuajtur pasojat: filmi i regjisorit të famshëm Ridley Scott, “All the Money in the World” (Të gjitha paratë e botës). Premiera e këtij filmi ishte caktuar të zhvillohej javën e ardhshme me rastin e mbylljes së AFI Fest – festivali që zhvillohet në Los Angeles dhe ku janë shfaqur shumë filma që kanë qenë kandidat për OSscar – është anuluar, siç ka bërë të ditur kompania “TriStarPictures”.

Pavarësisht se “All the Money in the World” konsiderohej si një nga filmat favorit për çmimin Ocar, duket se “TriStar” dhe kompania shpërndarëse “Sony” po ndjek të njëjtën rrugë si Netflix, që u distancua nga ylli i serialit dramatik “House of Cards”, jo vetëm duke e shkarkuar atë, por edhe duke e hequr nga videoja promovuese disa ditë më parë. Ndërsa punonjës të ndryshëm të “House of Cards” kanë akuzuar Spacey-in për abuzime seksuale gjatë xhirimeve, nuk ka pasur të tilla nga kolegët me të cilët Spacey ka punuar në “All the Money in the Ëorld”.

Në një deklaratë për shtyp, “TriStar” ka bërë të ditur se vendimi për të anuluar premierën e filmit është marrë për t’i shmangur sikletin pjesëtarëve të tjerë që kanë punuar për realizimin e këtij projekti. “Duke parë akuzat që kanë dalë për një nga aktorët e filmit dhe për respekt ndaj atyre që janë të përfshirë, nuk do të ishte e përshtatshme të zhvillohej kjo premierë”, lexohet në komunikatën për shtyp. “Megjithatë, një film nuk është puna e vetëm një njeriu. Në këtë projekt kanë marrë pjesë mbi 800 aktorë, shkrimtarë, artistë, punonjës dhe një staf i tërë. Do të ishte një padrejtësi e madhe që të ndëshkoheshin të gjithë këta për gabimet e një prej aktorëve protagonistë”.

Filmi, ku marrin pjesë edhe Mark Whalberg dhe Michele Williams, ka të bëjë me rrëmbimin e nipit 16-vjeçar të miliarderit John Paul Gety II, i cili luhet nga Spacey. Në film, Getty II refuzon të paguajë shpërblimin e kërkuar, duke lënë në dëshpërim mamanë (Williams). Për momentin është bërë e ditur se filmi do të shfaqet më 22 dhjetor.

Më shumë nga Argetim