Seria A

“Te Parma refuzova Baggio-n, por gabimin më të madh të karrierës e kam bërë tek Juventus”

Carlo Ancelotti, trajneri i Italisë. Kjo është komunikata zyrtare që presin të gjithë italianët në orët ose ditët në vazhdim. Ventura është shkarkuar, Carlo Tavecchio nuk heq dorë nga presidenca e federatës dhe Carlo Ancelotti është kontaktuar për të kuptuar nëse do të ishte në dispozicion. Tani mungon vetëm zyrtarizimi për teknikun e ri, që duhet t’i hapë rrugë revolucionit që pritet të ndodhë me kombëtaren “axurre”. Ndoshta është akoma pak për t’u konsideruar një revolucion i vërtetë, duke parë se, përveç Ventura-s, të gjithë të tjerët do të qëndrojnë aty ku ishin. Por, gjithsesi, kalimi i Ancelotti-t në drejtim të Italisë do të ishte një lëvizje e rëndësishme. Ai ka fituar kudo që ka shkuar dhe ka ditur të krijojë marrëdhënie të forta me të gjithë yjet që ka drejtuar.  Më poshtë janë renditur 10 gjëra që duhet të dini për trajnerin italian:

 

1 – Një fitues i lindur

Nëse si lojtar ka treguar cilësi dhe karakter në fushë, duke udhëhequr klubet ku ka luajtur dhe kombëtaren drejt fitoreve të shumta, cilësitë më të mira Ancelotti i ka treguar në rrugëtimin e tij si trajner. Është mes atyre që kanë fituar më shumë, i vlerësuar në Itali dhe jashtë saj. Si trajner, ai ka fituar gjithçka: në Itali, Francë, Angli, Spanjë dhe Gjermani, duke siguruar 3 Champions League me dy skuadra të ndryshme, Milan (2) dhe Real Madrid.

 

2 – Respekti për derrin

Ancelotti është ekspert edhe kur vjen puna tek ushqimi, por edhe një kuzhinier i mirë. Ai është rritur në një familje fermerësh, me origjinë modeste, që i ka mësuar atij vlerat e tokës dhe respektin ndaj ushqimit. Aq sa kur ka shkuar tek Juventus dhe ka parë një nga pankartat e vëna nga tifozët e bardhezinjve “Një derr nuk mund të jetë trajner”, Ancelotti është zemëruar shumë: “Kam shumë respekt për derrin, bifteku i tij është shumë i mirë”.

 

3 – “X-factor”

Ancelotti është një trajner i shkëlqyer, por një këngëtar shumë i keq. Pavarësisht nga kjo, ai ka një pasion të madh për gjithçka që ka lidhje me muzikën. Këtë e tregojnë faktet, sepse në çdo moment të rëndësishëm të karrierës së tij, i ka shoqëruar triumfet me kolona zanore të kënduara me sa frymë kishte, pavarësisht stonimit: “I migliori anni della nostra vita” e Renato Zero-s ka bërë menjëherë xhiron e internetit, ashtu si “Nel blu dipinto di blu”, e kënduar një ditë pasi Chelsea kishte fituar Premier League. Tani mund të ketë ardhur momenti për të kënduar ‘Azzurro’?

 

4 – 30 vite më pas

Ancelotti mund të kthehet te kombëtarja italiane 30 vite pas grumbullimit të tij të parë në një Botëror, pikërisht për t’i kthyer “axurrët” në Kupën e Botës. Ka qenë 1986-a dhe mesfushori Carlo Ancelotti (e ka mbyllur karrierën me Italinë me 26 ndeshje dhe 1 gol) është thirrur për Botërorin e Meksikës, por më pas ka qëndruar gjithmonë në tribunë. Një aventurë aspak pozitive, si ajo e Itali ’90. Botërori i luajtur në shtëpi është mbyllur në mënyrë zhgënjyese, me një vend të tretë.

 

5 – Kthimi te të kaltrit

Kush mendon se kjo do të ishte aventura e parë e Carletto-s në drejtim të Italisë, gabohet. Ai është ulur në atë stol dhe ka mbuluar rolin e ndihmëstrajnerit të Arrigo Sacchi-t, trajneri që udhëhoqi Italinë deri në finalen e mallkuar të USA ’94.

 

6 – Ana e errët e stolit

Ancelotti konsiderohet me të drejtë një nga trajnerët më të mirë në botë. Por edhe ai ka një anë të errët, mbi të cilën duhet të punojë shumë. Është fitues, por për një kohë të shkurtër, me përjashtim të Milan-it. Ka ndodhur tek Juventus, ku ka shkuar afër Champions League; e ka bërë edhe me Chelsea-in, për vetëm dy sezone; e njëjta gjë ka ndodhur edhe te PSG, Real Madrid dhe Bayern Munich. Disa vite dhe më pas vjen shkarkimi ose prishja e dyanshme e kontratës. Gjithmonë pasi ka fituar, por pa vënë kurrë rrënjë.

 

7 – Miku Stefano

Nuk janë të shumtë ata që e dinë për miqësinë e tij me Stefano Borgonovo (i ndarë nga jeta në 2013-ën për shkak të një sëmundje të pashërueshme). Kanë qenë shumë të lidhur, Stefano dhe Carlo, që në sezonin 1989-90 kanë luajtur bashkë me fanellën e Milan. Edhe kur rrugët e tyre profesionale janë ndarë, dhe kur Borgonovo u sëmur, Ancelotti i ka qëndruar gjithmonë afër mikut dhe familjes.

 

8 – Si Cristiano Ronaldo

Qarkullon edhe një anekdotë për periudhën kur ishte te Real Madrid. Jo vetëm këngë të stonuara (si himni i klubit i kënduar me zë të lartë në “Bernabeu” për të festuar “Decima”-n, por edhe imitime. Imitimi për festimin e Cristiano Ronaldo, gjatë ndeshjes Real Madrid-Eibar, më 22 nëntor të 2014-ës, ka qenë padyshim një nga momentet më argëtuese të aventurës spanjolle të Carlo Ancelotti.

 

9 – Mësimet më të mira vijnë nga gabimet

Askush nuk është perfekt dhe as Carlo Ancelotti. Ka qenë vetë ai që e ka pranuar, duke ripërshkuar karrierën e tij si trajner, veçanërisht në fillim, me disa gabime të tepërta nga të cilat ka mësuar shumë: “Përmend dy gabime mbi të gjithë: të parin e kam bërë kur drejtoja Parma-n, ku refuzova Roberto Baggio-n. Ndërsa tek Juventus nuk kam arritur të kuptoj se Henry nuk ishte një sulmues krahu”.

 

10 – Kulturë e përgjithshme

Nëse Ancelotti ka fituar kudo, kjo ka ndodhur për shkak dhe falë aftësisë së tij për t’u përshtatur në situata të ndryshme. Francë, Angli, Gjermani, Spanjë. Mënyra të ndryshme për të jetuar jetën dhe futbollin, por me një emërues të përbashkët: punën e detajuar taktike të Ancelotti-t: “Evoluimi i vërtetë ka qenë ai që kam aktivizuar njëkohësisht shumë lojtarë cilësorë, duke krijuar një sistem loje të bazuar te karakteristikat e tyre”. Pikërisht ajo që do t’i kërkojë tani edhe Italia.

Më shumë nga Seria A