Futboll

Tension në Paris, acar mes trajnerit Tuchel dhe drejtorit sportiv

Paris Saint-Germain vazhdon të shpenzojë miliona, vazhdon të dominojë në Francë, vazhdon të dështojë në Europë. Kjo është ndjesia e krijuar prej kohësh, e përforcuar këtë mesjavë, me humbjen e shëmtuar në Liverpool, aty ku PSG nuk tregoi asgjë nga potenciali i vet.

Tani në mediat franceze kanë nisur debatet dhe po bëhet zhurmë e madhe në lidhje me tensionin që ekziston mes dy prej personazheve kryesore të klubit. Trajneri Thomas Tuchel nuk flet më me drejtorin sportiv Antero Henrique, ndërsa acari mes tyre ka lindur që në verë, kur klubi francez nuk bleu dot disa nga lojtarët e kërkuar me ngulm nga Tuchel.

Jo rastësisht, Tuchel kohët e fundit ka bërë humor me problemet e skuadrës në mesfushë, ku kërkoi një pasues të denjë për Thiago Motta-n, ndërkohë që presidenti Nasser al-Khelaifi ka qëndruar pasiv në këtë luftë të brendshme.

Skuadra duket se është në krahun e trajnerit, sepse kapiteni Thiago Silva pas ndeshjes kundër Liverpool-it në Champions lëshoi një batutë të hidhur: “Tre mesfushorët tanë dukeshin në vështirësi të mëdha? Më mirë të pyesim Antero-n”.

Edhe në analizat pas ndeshjes shtypi francez u tregua mjaft i ashpër dhe evidentoi problemet e ndërtimit të gabuar të skuadrës, duke theksuar se PSG është ende shumë larg elitës në Europë, mbi të gjitha për faktin se merkatoja ka qenë një dështim dhe skuadra nuk është njësoj e fortë në të gjitha repartet.

Më shumë nga Futboll