Mix Vendi

Tërhiqet nga gara për presidentin e peshëngritjes një nga kandidatët

Vetëm pak ditë pasi deklaroi se do të garojë për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP), një nga kandidatët ka vendosur të dorëhiqet. Ai është shkodrani Petrit Hoxha, që përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ku dhe pat deklaruar kandidimin, sot konfirmoi edhe tërheqjen e tij nga gara, duke shpjeguar edhe arsyen. “Kandidimi im për postin e presidentit të FSHP-së kondicionohet nga të qënit anëtar potencfial i partive politike dhe në këtë moment i PS-së. Ky ishte momenti që unë s’kam nevojë për peshëngritjen shqiptare, sikuese më shumë se kurrë peshëngritja shqiptare kishte nevojë për mua”, shkruan Petrit Hoxha.

Shkodrani Petrit Hoxha ish-kandidat per presidencen e FSHP-se

Më tej, shkodrani shprehet se këtë garë, ku ende kanë mbetur si kandidatë për postin e presidentit Thodhori Masllavica dhe Ilir Topuzi, ai do të mbështesë Masllavicën. “Dua të falënderoj të gjithë për besimin që më dhanë, njerëz nga komuniteti i peshëngritjes. Falënderoj shtangistët që dolën mbi frikën dhe që menduan për parimet e zhvillimit. Unë do të mbështes në këtë garë Masllavicën dhe uroj që zgjedhjet të jenë të qeta”, u shpreh Petrit Hoxha. Zgjedhjet për presidentin dhe kryesinë e FSHP-së do të zhvillohen më datën 5 prill, zgjedhje që u kushtëzuan nga dorëheqja e ish-presidentit Elez Gjoza dhe të kryesisë pas skandalit të radhës doping me Romela Begajn që pushtoi shtangën shqiptare.

Më shumë nga Mix Vendi