Futboll

Teuta, Begeja: “Dhuruam dy gola, por getëm forcë të përmbysim rezultatin”

Një fitore me përmbysje në minutat shtesë 2-3, ka qenë ajo e Teutës në transfertë ndaj Lushnjës, me vlera të mëdha, duke ngjallur shpresat për mbijetesë, në luftën direkte me Vllazninë. Sipas trajnerit Begeja, edhe pse skuadra e tij dhuroi ato dy gola të parë, duhet vlerësuar për reagimin dhe përmbysjen. “E kishim vlerësuar ndeshjen në maksimum, pavarësisht se në letër konsiderohej si ndeshje e lehtë. Komplimentet e mia shkojnë për ekipin e Lushnjës që luftoi deri në fund. Kemi pësuar 2 gola të dhuruar nga ana jonë. Skuadra nuk ka qenë në ekuilibër në ato minuta edhe pse ekipi duhet falënderuar, pasi nuk është e lehtë të përmbysësh rezultatin kur je në disavantazh me dy gola. Sot kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, pavarësisht momentit të pësimit të 2 golave”, komentoi Begeja.

 

“Nuk mendoj se sezoni i Teutës është çështje fati, por çështje cilësie. Ka pasur ndeshje që kemi shënuar në fund, por ka pasur ndeshje që jemi ndëshkuar në fund. Kam bindjen se duhet të punojmë më shumë në aspektin mbrojtës të skuadrës. Po i referohem ndeshjes ndaj Kukësit, kur kemi shënuar të parët, jemi ndëshkuar me 2 gola naiv. Skuadra ka gjetur forcë ka reaguar. Gabimet në mbrojtje na paralizojnë shumë. Ne jemi kjo skuadër që jemi. Është e vështirë të reagosh kur pëson gola. Tani do punojmë nuk kemi çfarë bëjmë. Kur ke një skuadër që mbrohet mirë, atëherë bëhet më e lehtë për fazën e sulmit. Kur ke lojtarë që nuk shënojnë dhe mbrapa pësojnë lehtë, nuk ke çfarë bën, është e vështirë. Do vazhdojmë përpara, me këtë skuadër që kemi”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Teutës, Begeja.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll