Futboll

Teuta e Shkëmbit “rrëzon” Skënderbeun

Skuadra e Teutës, e udhëhequr nga trajneri Bledi Shkëmbi i kanë faturuar mbrëmjen e të shtunës humbjen e parë për këtë sezon ekipit të Skënderbeut, pas fitores së durrsakëve në “Niko Dovana” me rezultatin 2-0, në përballjen e vlefshme për javën e 6-të. Humbja e parë e korçarëve është shoqëruar menjëherë edhe me dorëzimin e kreut të klasifikimit, që në përfundim të javës së 6-të, mbahet nga Kukësi dhe Partizani, me pikë të barabarta, 13, ndërsa bardhekuqtë, ndjekin në kuotën e 11 pikëve. Nga ana tjetër, Teuta ngjitet në kuotën e 8 pikëve, për tu pozicionuar në vendin e 6-të të klasifikimit.

E cilësuar si një sfidë e veçantë ajo mes Teutës dhe Skënderbeut, jo vetëm për historikun dhe statistikat e viteve të fundit të këtij dueli të zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit, apo dhe pretendimet e dy ekipeve të këtij sezoni, është shoqëruar me triumfimin e Bledi Shkëmbit, në garën kundër ish-shokut të tij të ekipit, Orges Shehi, të dy ish-kapitenë të ekipit korçar, tashmë trajnerë respektivisht me Teutën dhe Skënderbeun.

Teuta kaloi në avantazh në minutën e 42’ falë penalltisë së shndërruar në gol nga ana e Amadu Latif, pasi një minutë më parë, Kamara u ndal në mënyrë të parregullt në zonë nga Kaba Samboi, i cili u ndëshkua gjithashtu me kartonin e tij të dytë të verdhë në këtë takim, duke u detyruar të lërë fushën e lojës, për të lënë Skënderbeun në inferioritet numerik për më shumë se 50’ minutat e mbetura. Pavarësisht tentativave të Skënderbeut, dhe lojës së zhvendosur pasivisht në gjysmëfushën e Teutës, për pjesën më të madhe të fraksionit të dytë të lojës, korçarët nuk mundën dot të barazonin shifrat. Përkundrazi, në të 65’ janë ndëshkuar me golin e dytë, të realizuar nga Bicaj, pas një krosimi në zonë. Rezultati 2-0 në favor të Teutës ka mbetur i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.

Teuta-Skënderbeu 2-0

Shënues: Latif 43’ (11-m), Bicaj 65’

Teuta: Hidi, Gjeorgievski, Bicaj, Osmani, Hakaj, Avdyli, Gashi, Kallaku, Progni, Kamara, Latif.

Trajner: Bledi Shkëmbi

Skënderbeu: Teqja, Aliti, Sambou, Radas, Vangjeli, Dita, Demte, Muzaka, Gripshi, Bregu, Krasniqi.

Trajner: Orges Shehi

Më shumë nga Futboll