Connect with us

Futboll

Teuta ndal Skënderbeun në Korçë, fërkon duart Kukësi

Është mbyllur në barazim 1-1, sfida e pasdites së sotme e vlefshme për javën e 24-t të Kategorisë Superiore, e zhvilluar në Korçë mes Skënderbeut dhe Teutës. Me durrësakët që rikonfirmohen si “macja e zezë” e kampionëve në fuqi të Shqipërisë, të cilët sot janë ndalur në sprintin e kësaj faze të tretë. Një pikë që i jep Skënderbeut kreun në mënyrë provizore, në kuotën e 48 pikëve, por që mbi të gjitha i jep mundësinë Kukësit që të shkojë më i qetë në transfertën e Vlorës, ku nesër do ndeshet me Flamurtarin. Nga ana tjetër, skuadra e Teutës në kuotën e 27 pikëve ruan distancën nga ndjekësit, teksa qëndron shumë pranë mesit të artë të klasifikimit. Ishin pikërisht miqtë ata që kaluan të parën në avantazh me anë të Mustës, i cili shënoi golin e epërsisë në minutën e 21’, ndërsa vendasit kanë mundur të barazojnë shifrat në të 63’ me anë të James, për të mos mundur dot të kalojnë në avantazh, ndonëse dominuan lojnë në pjesën më të madhe të saj.

Skënderbeu-Teuta 1-1. Shënues: James 63′ / Musta 21′.

Pjesa e parë

Vendasit regjistrojnë rastin e tyre të parë të favorshëm për të kaluar në avantazh që në minutën e dytë, kur Salihi i vetëm përballë portierit të Teutës ka goditur në djagonale jashtë kuadratit, me topin që përfundon shumë pranë shtyllës pingule. Përgjigja e miqve ka ardhur në të 18’, me Mustën që ka të gjitha shanset për të kaluar durrsakët në avantazh, por finalizmi i tij i vonuar i jep kohë mbrojtësit kroat, Radas që të largojë rrezikun.  I njëjti protagonist i Teutës korrigjon gabimin e tij vetëm tre minuta më pas, teksa në të 21’, Musta ka kaluar miqtë në avantazh, 0-1, pasi i vetëm, dhe pak centimetra larg Shehit nuk e ka aspak të vështirë të dërgojë në rrjetë atë top të goditur mrekullisht nga Hila nga jashtë zone dhe më pas i përplasur në traversën e portës korçare. Minutat e mbetura të kësaj pjese janë dominuar thuajse tërësisht nga vendasit, me Salihin që ka tentuar në çdo mënyrë por pa saktësi në finalizim, ose i ndalur nga portieri i Teutës, Kastrati, për të mos sjellë asnjë ndryshim në rezultat.

Pjesa e dytë

Njëlloj sikurse në fraksionin e parë të lojës, edhe kjo pjesë e dytë ka nisur me vendasit të hedhur menjëherë në sulm dhe me një shans flagrant për të barazuar shifrat, teksa Lilaj vetëm pak metra larg portës, arrin të prekë vetëm rrjetën e jashtme të katërkëndorit të mbrojtur nga Kastrati. Gjithsesi Skënderbeu nuk ka vonuar shumë të gjejë golin e barazimit, teksa në të 63’, James ka shfrytëzuar më së miri atë asist perfekt të Latifit, protagonist i një kundrasulmi spektakolar që ka gjetur të papërgatitur mbrojtjen e Teutës, duke fituar duelin me Kastratind he barazuar shifrat në 1-1. Minutat e mbetura kanë shfaqur një Teutë më të kujdesshme në mbrojtje, por njëherësh edhe në mënyrë sporadike ofensive me kundrasulme dhe topa të gjatë, ndërkohë që të pamjaftueshme kanë rezultuar tentativat e Skënderbeut për gjetjen e golit të avantazhit.

Skënderbeu-Teuta 1-1

Shënues: James 63’, Musta 21’

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Osmani, Jashanica, Muzaka, Lilaj, Orelesi, Latifi, James, Salihi.
Trajner: Ilir Daja

Teuta: Kastrati, Beqja, Hoxha, Markoviç, Hodo, Dita, Progni, Hila, Cmajcanin, Musta, Ribaj.
Trajner: Gugash Magani

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

Skënderbeu rimerr provizorisht kreun e klasifikimit, me 1 pikë epërsi ndaj Kukësit.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll