Basketboll

Teuta “zë ngushtë” Tiranën, s’e le të ngrejë Kupën

Përgatiti: Nerilda Meda

Teuta ka befasuar duke e “zënë ngushtë” Tiranën në periodën e katërtë të ndeshjes së katërt finale të “Play Off”-it në Basketboll për meshkuj të zhvilluar të Enjten në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Durrsakët nuk i dhanë mundësinë Tiranës të ngrinte Kupën në shtëpinë e tyre, madje zbuluan që finalja mund të dal jashtë çdo parashikimi.

Tre periodat e para ishin rivalizuese dhe me tension të lartë. I ngjasonin për nga rivaliteti 3 ndeshjeve paraardhëse, që “u luftua” pikë më pikë me diferencë shumë të ngushtë.

Nuk munguan as gabimet e shumta nga të dyja ekipet, rrallë herë ndodh që të shohim Tiranën të gabojë në pasime dhe të humbas aksione nga nxitimi, ndërsa djemtë e detit gabuan më shumë në këtë ndeshje sesa në ndeshjet e tjera ndoshta për shkak të ngarkesës psikologjike për të mos lejuar Tiranën të ngrinte Kupën.

Perioda e parë u mbyll në avantazh të Tiranës 18-21, e dyta në barazim 36-36, e treta në avantazh të Teutës me vetëm 2 pikë 52-50. Ndërkohë tensioni u përkthye në faulle dhe personale për të dyja skuadrat.

Perioda e katërt “na la pa fjalë”,basketbollisti Shima largohet me 5 personale, irritohet me arbitrat dhe me tifozët të cilët shpërthejnë kundër tij. Pas tij largohet edhe trajneri i ekipit bardhë e blu, Antonios Doukas me teknike nga parketi, largimi i tij u shoqërua me përplasje të forta.

Më pas doli edhe Hysenagolli me 5 personale. Teuta shfrytëzoji momentin e dobët të Tiranës duke kaluar në 15 pikë avantazh 69-54, shumë gjuajtje të lira pati kjo periodë dhe ritëm.

Tirana këmbënguli por pa rezultat, me një diferencë të tillë pikësh Teuta fitoi vetëvlerësimin për të minimizuar gabimet. Edhe pse 2 minuta para mbarimit të ndeshjes ishte Çela nga ekipi Durrsak që u largua me 5 personale. Djemtë e detit fituan këtë përballje me 10 pikë diferencë, 83-73 diferenca më e lartë e pikëve në këto finale mes tyre.

Të dielën, në orën 17:00 në Asllan Rusi na pret një finale e madhe që do të tregojë kush e meriton Kupën e Shqipërisë. Kapiteni i Tiranës Erkand Karaj tregoi për Telesport se të dielën do të shohim se cila është Tirana e vërtetë.

Ndërsa Kapiteni i Teutës, Kristi Gorea u tregua optimist duke zbuluar se do luajnë për fitore. Trajneri i Tiranës nuk pranoi të fliste pasi tha se në qoftë se do fliste, do fliste keq ndërsa trajneri Teutës Boban Niniç tha se nuk ndryshonte asgjë pasi me këtë lojë mund të fitohet. E vetmja gjë që na ngelet është të presim të Dielën e finales së madhe.

Më shumë nga Basketboll