• Thiago i xhindosur prej gjyqtarit, por e qetësoi … Perez!

    Publikuar: 20 Apr 5:33

    Siç bën zakonisht pas ndeshjeve në shtëpi të Real Madrid-it, presidenti Florentino Perez edhe të martën mbrëma shkoi në dhomat e zhveshjes së lojtarëve pas fitores 4-2 kundër Bayern-it në Champions League. Numri 1 i madrilenëve, megjithatë, s’gjeti vetëm lojtarë duke festuar. Ai u desh të përballej me një ish-katalanas, Thiago Alcantara. Ky i fundit ishte në veçanti shumë i acaruar me gjyqtarin Viktor Kassai, i cili lejoi shënimin e dy golave në pozicion jashtë loje për “Galaktikët” dhe largoi me të kuqe kilianin Arturo Vidal.

    Siç njofton “Marca”, Perez zhvilloi një bisedë të shkurtër, çuditërisht të qetë, me mesfushorin e Bayern-it, duke i kërkuar të mos mërzitej, sepse Dani Carvajal nuk e preku topin me dorë një javë më parë, kur bavarezët fituan penalltinë e humbur nga Vidal. Kjo natyrisht që nuk pritej, sepse bashkëbiseduesit nuk ishin njerëz të të njëjtit nivel (president klubi-futbollist), por Thiago duket se u “josh” nga mënyra se si i foli Perez dhe u largua duke bërë gjeste miqësore, si për të konfirmuar se presidenti kishte të drejtë.


    Lexo postimet e tjera