Miks Bota

Thomas Bach: Lojërat Olimpike në Kore do të jetë të sigurta

Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, që do të zhvillohen pas 6 muajsh në Korenë e Jugut, rrezikojnë të dështojnë. Shkak është tensioni i lartë i krijuar në këtë zonë të Azisë muajt e fundit, pas testeve të shumta ushtarake që po bëhen nga Koreja e Veriut, që ka kërcënuar nisjen e një konflikti ushtarak. Frika e parë duket te biletat e shitura, teksa konfirmohet se vetëm 25 % e tyre janë blerë, ndërsa 75% e biletave janë ende në dispozicion në treg. Por problem është edhe inaugurimi i trenit të shpejtë që lidh Seulin me zonën ku zhvillohen Lojërat Dimërore, që rrezikon të mos jetë gati në kohë. E mjaft probleme të tjera organizative.

Por presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, gjatë një deklarate të lëshuar nga Lima (Peru), aty ku do të përcaktohet këtë javë vendi organizator i Lojërave Olimpike të vitit 2024, ka thënë se situata është e qetë. “Lojërat e Pyeongchang nuk rrezikojnë të dështojnë, janë të sigurta dhe do të zhvillohen normalisht. Për momentin nuk ka asnjë rrezik dhe të gjithë po punojnë që situata të qetësohet. Jam i sigurt se diplomacia do të mbizotërojë gjatë kësaj Olimpiade”, tha Thomas Bach. Zona e Pyeongchang ku zhvillohet Olimpiada dimërore është vetëm 80km larg kufirit me Korenë e Veriut, ndaj po punohet që situata gjatë periudhës së Lojërave Olimpike të jetë e qetë.

Më shumë nga Miks Bota