• “Tifozat Kuq e Zi”, në përkrahje të Ramush Haradinajt

    Publikuar: 7 Jan 11:12

    Arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, përveç polemikave në qarqet diplomatike apo mbështetjes që i kanë dhënë personalitete të ndryshme nga Kosova dhe Shqipëria, tashmë një pjesë kanë nisur edhe protestat në Francë, por edhe para ambasadës franceze në Tiranë e më gjerë. Edhe “Tifozat Kuq e Zi” sërish, kur vjen puna për çështje kombëtare, ata janë të pranishëm, madje të shumtë në numër. Të veshur kuqezi ata kanë protestuar fuqishëm.

    “Edhe ne ishim sot në Francë duke protestuar në përkrahje të lirisë së Komandantit. ‘Tifozat Kuq e Zi’ në mbështetje të atyre që luftuan që ne sot të gëzojmë lirinë”, – shkruajnë në profilin e tyre zyrtar në Facebook ata që janë lojtari numër 12-të i Kombëtares shqiptare të futbollit dhe jo vetëm, “Tifozat Kuq e Zi”. Në kohë rekord ata janë organizuar, duke treguar edhe njëherë se janë të bashkuar.

    Ramush Haradinaj duke ndjekur ndeshjen Shqipëri-Rumani në “Euro 2016” në Lyon të Francës

    Ramush Haradinaj ishte para 7 muajsh në Francë, mes mijëra kuqezinjve të tjerë, për të parë nga afër, në stadium, ndeshjen e Shqipërisë kundër Francës, e vlefshme për finalet e “Euro 2016”, por nuk u arrestua. Ndërsa pas 7 muajsh, kryetari i AAK-së në Kosovë, Haradinaj, u ndalua nga autoritetet franceze. A do të thotë kjo se autoritetet e vendit transalpin nuk deshën të prishin atmosferën e Kampionatit Europian në qershor 2016, apo ujëra të tjera kanë rrjedhur tashmë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e ka në dorë politika franceze dhe europiane, në fakt, por rezulton se futbolli të mbron nganjëherë edhe nga padrejtësi të vjetra.


    Lexo postimet e tjera