Kombëtarja

Tifozët vendosin veto, bllokojnë transferimin e Kaçes tek APOEL për shkak të… UÇK-së

Edhe pse udhëtoi sot drejt Qipros për të nënshkruar një kontratë gjashtë mujore me APOEL Nikosia, në formë huazimi nga PAOK-u, klubi qipriot duket se është “mbytur” në vendimmarrjen përfundimtare për shkak të reagimeve të tifozëve të ekipit. Pavarësisht nga dëshira e trajnerit George Donis për ta marrë futbollistin shqiptar, gjërat janë ndërlikuar shumë në momentin final, duke prapësuar gjithçka. Mesfushori 25-vjeçar ka marrë tashmë rrugën e kthimit prapa për në Selanik me shpresën e gjetjes së një stacioni të ri në karrierën e tij, teksa Panathinaikos është gjithmonë brenda mundësive, por edhe PAS Giannina. Arsyeja përse tifozët e APOEL-it reaguan me forcë kundër blerjes së Ergys Kaçes është fotoja e mesfushorit shqiptar me bluzën e UÇK-së, gjatë një grumbullimi me kombëtaren kuqezi, çka u karakterizua nga politizimi i mëparshëm politik në Greqi, ku çështjet kombëtare të atdheut të tij nuk honepsen dot.

Mesa duket, kjo gjë e ka penalizuar korçarin edhe në Qipro, ku shpresonte të vijonte të luante lojën e tij të dashur. Tifozët e APOEL kanë qenë kategorikë kundër ardhjes së shqiptarit, duke kërcënuar klubin e tyre në rast të marrëveshjes së proklamuar me Kaçen. Ata kanë nxjerrë si shkak foton e vjetër të 25-vjeçarit kuqezi, kur pozonte me bluzën e UÇK-së, që për ta do të thotë “Shqipëria e Madhe”. Trajneri grek i APOEL, George Donis, kishte sugjeruar blerjen e Ergys Kaçes, duke njohur mirë aftësitë e tij si futbollist, por klubi është vënë me “shpatulla për muri” nga i ashtuquajturi “lojtari i 12-të”. Kësisoji, bie poshtë transferimi i mesfushorit të PAOK-ut në “Ishullin e Afërditës”, ku në fakt kanë luajtur dhe vijojnë të aktivizohen jo pak futbollistë shqiptarë.

Më shumë nga Kombëtarja