Futboll

Tifozët shkodranë janë me fat, sot panë 4 Kupa Bote më afër se kurrë

Tifozët shkodranë janë me fat, sot panë 4 Kupa Bote më afër se kurrë

Tifozët e futbollit italian në Shqipëri janë me shumicë, por ata më fatlumët jetojnë në Shkodër. Edhe pse skuadra axurre sot nuk u stërvit në “Loro Boriçi” para ndeshjes së nesërme me kombëtaren shqiptare, shkodranët gjatë pasdites shijuan një pamje spektakolare.

Ata iu gëzuan katër trofeve që skuadra fqinje ka ngritur në Kupën e Botës (1934, 1938, 1982, 2006). Ambasada e Italisë në Tiranë dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë rënë dakord për t’i ekspozuar në Teatrin “Migjeni”.

Kjo nismë synon të vërë theksin e të vlerësojë ndeshjen e parë zyrtare në historinë e kombëtares italiane të futbollit në Shqipëri. Ekspozita do të jetë e hapur dhe pa pagesë. Kupat iu përkasin të gjithëve, sidomos kur bëhet fjalë për dy vende kaq të afërta dhe me lidhje historike si Shqipëria dhe Italia.

Jeni tifoz italian dhe jetoni në Tiranë apo diku nga jugu i Shqipërisë? Vraponi për në Shkodër, se të tillë ekspozitë zor se do të gjeni më afër!

Më shumë nga Futboll