NBA

Tifozi i Spurs hedh në gjyq Pachulia për dëmtimin ndaj Leonard

Mediat amerikane bëjnë me dije sot se një tifoz i skuadrës së San Antonio Spurs, emri i të cilit nuk dihet ende, ka hedhur në gjyq lojtarin e Golden State Warriors, Zaza Pachulia, për faullin e rëndë që i shkaktoi Kawhi Leonard. Faull që detyroi lojtarin e Spurs të lërë në mes ndeshjen e parë finale në Konferencën e Perëndimit, i cili mungoi më pas edhe në takimin e dytë. Një episod që prej disa ditësh ka krijuar mjaft polemika, pasi San Antonio, pas daljes nga fusha të Leonard, humbi ndeshjen e parë, të cilën deri në ato moment po fitonte me mbi 20 pikë. Ndërsa në takimin e dytë, u mund thellë nga Warriors.

Ky dëmtim ka ndërlikuar situatën, pasi Golden State udhëheq 2-0 serinë e finaleve, aq sa edhe vetë trajneri Greg Popovich ka kritikuar Pachulia për një faull të qëllimshëm. Por tifozi ka shkuar më tej, duke e çuar çështjen në gjyq, me akuzën: “Ka pakësuar mundësitë e Spurs për të qenë kompetitivë në ndeshjen e parë dhe ka ulur ndjeshëm vlerën e biletave të shitura për takimet e tjera”. Avokati i ngarkuar me këtë çështje tha: “Duam t’i tregojmë trupit gjykues se kjo sjelle i ka shkaktuar dëme skuadrës së San Antonios”. Mendohet se akuzuesi do t’i kërkojë gjykatës 73 mijë dollarë dëmshpërblim nga Pachulia dhe nëse kjo akuzë pranohet, atëherë do të ishte e para në historinë e NBA-së.

Më shumë nga NBA