Basketboll

Tirana dorëzohet në “Feti Borova”, bullgarët e Rilski “leksion” bardhebluve

Pas dy fitoresh radhazi, skuadra e Tiranës në basketboll për meshkuj është mundur sot në mbrëmje në fushën e saj, në ndeshjen ndaj bullgarëve të Rilski Sportisti, sfidë e vlefshme për Ligën Ballkanike (BIBL), luajtur në sallën sportive “Feti Borova”. Miqtë triumfuan me shifrat 99-78, në një ndeshje të dominuar gjatë gjithë kohës prej tyre, duke e vënë në kasafortë fitoren që në periodën e parë. Tirana nuk arriti për asnjë moment të rivalizojë, pasi e nisi keq ndeshjen dhe disavantazhi i krijuar në 10-minutëshin e parë kushtëzoi të gjithë takimin. Për bullgarët ky është suksesi i katërt në këtë turne, ku nuk kanë asnjë humbje, ndërsa për Tiranën kjo është humbja e tretë në 5 ndeshje të luajtura deri më tani.

Skuadra e Tiranes ne ndeshjen ndaj bullgareve

Gjithçka u vendos në periodën e parë, ku skuadra e Rilski tregon se është më superiore në fushë, shkëputet gradualisht dhe udhëheq 34-17 në mbyllje të 10-mintëshit të parë. Ky avantazh administrohet mjaft mirë në dy periodat pasardhëse, me bullgarët që kontrollojnë lojën, ndërsa Tirana nuk lejon miqtë të shkëputen. Pjesa e parë mbyllet 48-32 për Rilski, që ruan të njëjtin ritëm edhe në çerekun e tretë, ku udhëheq 70-57. Në periodën e fundit miqtë shkëputen edhe më shumë, duke përfituar edhe nga disa gabime të Tiranës, që tenton përmbysjen, por pa sukses. Rilski fiton 99-78 dhe del në krye të Ligës Ballkanike.

Diferencën në këtë ndeshje e bëri stoli i ekipit bullgar, nga ku erdhën 42 pikë. Për Tiranën u dallua Shima me 26 pikë e Abdul-Bassit me 19, që ishin edhe shënuesit më të mirë të ndeshjes, por kjo s’mjaftoi për të evituar humbjen. Sfida e radhës për bardheblutë në Ligën Ballkanike është pas një jave, ndaj ekipit maqedonas të Ibar Rozaje (12 dhjetor, ora 17:00), ndeshje që luhet në shtetin fqinj.

Tirana – Rilski Sportist, 78-99 (17-34, 15-14, 25-22, 21-29)

TIRANA: Brchkov (8), Shima (26), Hysenagolli (10), Abdul-Bassit (19), Stowebridge (8), Karaj, Lasku, Vogli, Gjyzeli (2), Strazimiri (5), Hill. Trajner: Antonios Doukas

RILSKI SPORTIST: Georgiev (10), Bozov (11), Wright (14), Taylor (8), Jeter (14), Ivanov (2), Marinov (17), Marincheshki (2), Francis (2), Vasov (2), Gelov (2), Ravenel (17). Trajner: Ludmil Hadjisotirov

Gjyqtarë: Daut Mehmeti, Xhelal Mumini, Dardan Maxhuni

Më shumë nga Basketboll