Kategoria Superiore

Tirana e paralizuar, Ze Maria “biletë” pa kthim?!

Tirana e paralizuar, Ze Maria “biletë” pa kthim?!

Humbja ndaj Laçit të dielën në kampionat ishte një tjetër goditje për Tiranën e sidomos për trajnerin Ze Maria, që ka vendosur të mos largohet nga drejtimi i skuadrës edhe pse rezultatet janë zhgënjyese. Të paktën deri tani braziliani nuk ka pranuar të largohet duke u dorëhequr. Pas ndeshjes së luajtur në “Selman Stërmasi”, Ze Maria debatoi ashpër me lojtarët në dhomat e zhveshjes, për humbjen. Presidenti Refik Halili ende nuk ka vendosur se çfarë do të ndodh me trajnerin, pasi ky i fundit nuk largohet me dëshirë, duke pritur një shkarkim të mundshëm nga klubi.

Kështu Ze Maria do të përfitonte dëmshpërblim financiar si rrjedhojë e kushteve të kontratës që ka me Tiranën. Mirëpo kjo gjë nuk i intereson klubit bardheblu, që pret largimin vullnetar të Ze Marias. Konfuzioni në lidhje me të ardhmen e trajnerit, ka bërë që pasojat të rëndojnë mbi lojtarët. Prej të dielës futbollistët nuk kanë dalë në stërvitje. Pas përfundimit të ndeshjes me Laçin u mësua se skuadra do të lihej të paktën dy ditë pushim, pasi kampionati do të ketë një ndërprerje prej dy javësh për shkak të ndeshjeve të kombëtares.

Mirëpo pushimi për futbollistët e Tiranës është zgjatur të paktën dhe me dy ditë, pasi burime brenda klubit bëjnë me dije për Telesport, se lojtarët do të rikthehen në stërvitje ditën e enjte. Sakaq nuk ka asnjë informacion në lidhje me trajnerin Ze Maria, që me shumë gjasa mund të jetë në Itali, aty ku jeton me familjen e tij.

Ndërkohë ditët e pushimit të skuadrës, futbollistët i kanë kompensuar duke u stërvitur individualisht derisa të rikthehen me grupin. Vendimi për të lënë katër ditë pushim skuadrën duket absurd, në një kohë kur ekipi ka lënë shumë pikë rrugës në tetë javët e para të kampionatit, dhe vazhdimësia kërkon më shumë përgatitje dhe impenjim për të rikuperuar pikët. Por kjo zgjatje e ditëve të pushimit mund të jetë edhe një “biletë” pa kthim për Ze Marian, pasi klubi mund të jetë duke shfrytëzuar kohën për gjetjen e trajnerit të ri.

Më shumë nga Kategoria Superiore