Kampionati Shqiptar

Tirana fiton “derbin” e merkatos, i “vjedh” Edon Hasanin Partizanit

U përmend si përforcim i sigurtë i Partizanit, por në fakt Edon Hasani e ka “kaluar ylberin” në kryeqytet. Ai është prezantuar si futbollisti më i ri i “armiqve të betuar” të të kuqve, duke e dërguar rezultatin e derbit të madh të kryeqytetit në 1-0, aktualisht, ende pa nisur sezoni i ri futbollistik.

Mesfushori me eksperiencë të konsiderueshme në Shqipëri, por edhe në kampionate të huaja, ka pranuar ofertën e 24 herë kampionëve të vendit, duke u prezantuar me fanellën bardheblu, të cilën do ta mbrojë në vazhdim. Një goditje vërtet cilësore kjo e Tiranës, që rikthehet në Superiore pas një viti “migrim” një kategori më poshtë.

Hasani njihet për vetitë e spikatura organizative të lojës, ndaj edhe Tirana duket se e ka gjetur njeriun e duhur për në “kullën e regjisë”. Nga ana tjetër, mbetet “me gisht në gojë” Partizani, emri i të cilit u përdor të paktën mediatikisht si destinacioni i shkodranit, por ndoshta në këtë rast ka shërbyer për të “rritur pazarin”.

Meqë është një humbje në “derbin” me Tiranën në merkato, do të ishte mirë që 15 herë kampionët e vendit ta shpjegojnë se çfarë ndodhi, më së paku, për të qenë në rregull me tifozët e vet, të cilët nuk e kanë pritur mirë një “humbje” të tillë parasezonale.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar