Kampionati Shqiptar

Tirana fiton miqësoren e parë me 2 gola të Fukuit

Tirana ka bërë gjithçka mirë në ndeshjen e parë miqësore në Maqedoni. Dy gola nga sulmuesi japonez Masato Fukui u kanë dhënë bardhebluve fitoren në një takim që e kanë dominuar përballë kundërshtarëve nga Superliga e Maqedonisë. Përforcimi numër shtatë për merkaton e verës i ka bërë të gjithë për vete që në prekjen e parë të topit, të cilin e ka dërguar në rrjetë me kokë. Pas vetëm katër minutash ka shënuar edhe golin e dytë, duke marrë duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve.

fukui 2

Japonezi Fukui në momentin kur futet në lojë

Në këtë miqësore, trajneri Muça ka preferuar të aktivizojë të gjithë futbollistët që ka në dispozicion. Vetëm Argjend Malaj nuk ka mundur të luajë për shkak të një shqetësimi të lehtë muskular. Përgjatë ndeshjes, Teqja dhe Dushku kanë pësuar dëmtime të lehta dhe Muça i ka zëvendësuar, duke dashur të mos rrezikojë. Paraqitje të mirë kanë bërë edhe lojtarët e afruar në merkaton e verës, duke dhënë sinjalet e para për sezonin e ri.

fukui

Fukui përpara se të hynte në fushë në ndeshjen miqësore

Drejtori sportiv Devi Muka ka qenë i pranishëm në këtë test për të parë gjendjen e bardhebluve. Të pranishëm në Mavrovë përgjatë takimit kanë qenë dhe disa tifozë bardheblu, që kanë menduar të mos e lënë skuadrën asnjëherë vetëm. Ndeshjen e ka ndjekur nga afër dhe trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Shpëtim Duro, së bashku me ndihmësin e tij. Kjo ka qenë miqësorja e parë për bardheblutë në Maqedoni. Në axhendë janë edhe tre takime të tjera për t’u zhvilluar.

 

Mlladost CD – KF Tirana 1-2
Shënues: Iliovski 76’ / Fukui 46’, 50’

Tirana: Frashëri, Dushku, Pashaj, Smajli, Gërxhaliu, Teqja, Bulku, Sefa, Kërçiku, Lika, Morina.

U aktivizuan: Bakaj, Hoxhallari, Fukui, Domgjoni, Kavdanski, Deliaj, Peci, Sallaku, Halili, Sorra.

Trajner: Shkëlqim Muça

[total-poll id=56855]

Më shumë nga Kampionati Shqiptar