Kampionati Kombëtar

Tirana fiton me përmbysje, Vllaznia rrezikon play off-in

Tirana ka mundur sot në mbrëmje 3-2 Vllazninë në ndeshjen e javës së 15-të të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj, një fitore me përmbysje e bardhebluve, që humbisnin 0-2 pas dy seteve të para. Miqtë nga Shkodra menduan se e fituan ndeshjen e luajtur në “Fahrie Hoti”, por nuk i bënë mirë llogaritë dhe më pas u detyruan të dalin kokulur nga fusha. Dy setet e para janë nën komandën e miqve, që shkëputen e fitojnë 25-20 e 25-22, por sfida dhuron emocione edhe në vijim. Tirana nuk heq dorë, fiton 25-19 setin e tretë dhe më pas triumfon 27-25 në setin e katërt, duke u treguar më e saktë dhe e kujdesshme në pikët shtesë.

Nga ndeshja Tirana-Vllaznia 3-2

Dramacitet edhe në setin final, fituar 15-12 nga bardheblutë, që bëjnë një përmbysje fantastike, duke bërë një hap të madh drejt play off-it. Ekipet dhuruan një lojë shumë të bukur, një ndeshje spektakolare, mes dy ekipesh pretendente, por humbja mund t’i kushtojë rëndë Vllaznisë. Tashmë shkodranët janë 5 pikë larg Tiranës dhe zona e play off-it mbetet gjithnjë e më larg. Edhe Erzeni arriti një fitore me përmbysje ndaj Skënderbeut në “Ramazan Njala” të Durrësit, ndeshje që nisi më mirë për korçarët. Ata përfituan nga një nënvlerësim që shijakasit i bënë takimit për të fituar setin e parë. Por vetëm kaq, pasi më tej është Erzeni që “zgjohet”, merr komandën dhe fiton tri setet e tjera, duke marrë edhe tri pikë shpresë për një vend në play off.

VOLEJBOLL – MESHKUJ, JAVA E 15-TË (17 MARS)

Partizani – Studenti, 1-3 (25-23, 21-25, 23-25, 25-27)

SOT

Erzeni – Skënderbeu, 3-1 (23-25, 25-20, 25-17, 25-21)

Tirana – Vllaznia, 3-2 (20-25, 22-25, 25-19, 27-25, 15-12)

Farka Volej (pushim)

E MARTË (21 MARS)

Teuta – Elbasani, ora 18:00 (Durrës)

Renditja: Partizani 36 pikë (12/1), Farka Volej 30 pikë (10/2), Studenti 28 pikë (10/3), Tirana 26 pikë (9/5), Vllaznia 21 pikë (6/7), Erzeni 19 pikë (6/7), Skënderbeu 6 pikë (2/12), Teuta 5 pikë (2/11), Elbasani 3 pikë (1/10).

Nga ndeshja Erzeni-Skenderbeu 3-1 luajtur sot

Më shumë nga Kampionati Kombëtar