Kampionati Shqiptar

Tirana i mban “ndezur motorët”, fiton miqësoren me Internacionalin

Tirana ka zhvilluar sot miqësoren e fundvitit. Në Kompleksin e Pezës, skuadra e Ilir Dajës, e cunguar, sepse “jabaxhinjtë” janë pranë familjeve të tyre, ka sfiduar Internacionalin, duke fituar pastër, 4-0.

Tirana ka zhvilluar sot miqësoren e fundvitit. Në Kompleksin e Pezës, skuadra e Ilir Dajës, e cunguar, sepse “jabaxhinjtë” janë pranë familjeve të tyre, ka sfiduar Internacionalin, duke fituar pastër, 4-0. Golat për 24 herë kampionët e vendit janë shënuar nga Kërçiku 37′, Sallaku 72′, Mumajesi 78′ dhe Prendi 88′. Pra, sikurse shihet, tre gola nga ky “poker” mbajnë autorësinë e lojtarëve të rinj, të cilët Daja i ka afruar për t’u stërvitur me ekipin e parë.

Tirana stervitje

Tirana duke u stërvitur nën urdhërat e trajnerit Ilir Daja

Duhet të kujtojmë se Tirana e ka festuar Krishtlindjen në një atmosferë mjaft të mirë, edhe për shkak se e mbylli vitin kalendarik 2015 me një fitore në transfertë, duke thyer një tabu në “Zeqir Ymeri”. Vendi i tretë në klasifikim është më afër se kurrë, mund të ishte realitet që në mbyllje të fazës së dytë, nëse rivalët e përjetshëm të Partizanit nuk do të bënin atë gafë, duke u mundur brenda në “Qemal Stafa” nga durrsakët e Maganit.

Tirana pershendet

Tirana përshëndetet me tifozët në “Zeqir Ymeri”, ku fitoi për herë të parë në histori

Të dielën e në vijim, skuadra bardheblu iu është rikthyer përgatitjeve në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja dhe stafit teknik janë 18 futbollistë. Vetëm ata që jetojnë jashtë kryeqytetit dhe të tjerët që kanë patur në program të lëvizin jashtë vendit kanë marrë leje për t’u larguar. Skuadra ka vijuar stërvitje për të ruajtur formën fizike, para se të nisë faza përgatitore me ngarkesë të plotë.

Tirana-Vllaznia, skuadrat dalin ne fushe

Tiranës i mungon ende fitorja në shtëpinë e rikonstruktuar, “Selman Stermasi”

Deri të mërkurën, pra nesër, skuadra do të jetë nën urdhërat e trajnerit Ilir Daja, ndërkohë që më pas do të pushojë deri në datën 4 janar 2016, kur do të rinisin përgatitjet. Ndërkohë, vlen të theksohet se bardheblutë kanë pasur mbrojtjen më të mirë në gjysmën e parë të kampionatit. Ata kanë pësuar më pak se gjithë të tjerët në Superiore, 10 gola. Madje, nën drejtimin e Ilir Dajës, janë ndëshkuar vetëm dy herë, në ndeshjen përuruese në “Selman Stermasi”, ku humbën 2-1.

[total-poll id=126888]

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar