Kampionati Shqiptar

Tirana-Kastrioti, sot në Elbasan luhet finalja e titullit të Kategorisë së Parë

Sot, në orën 17:00, në “Elbasan Arena”, do të luhet finalja e Kategorisë së Parë. Kryesuesit e dy grupeve, Tirana dhe Kastrioti, do të “përplasin brirët” për të fituar titullin e kësaj kategorie. Si bardheblutë, edhe krutanët, e kanë fituar tashmë ngjitjen në Superiore për sezonin e ardhshëm. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ze Maria ka zhvilluar dje pasdite seancën ambientuese në stadiumin e Elbasanit.

Aty, bardheblutë kanë kryer provën gjenerale para ndeshjes finale. Michael Ngoo dhe Albi Doka nuk janë të gatshëm për këtë ballafaqim, ndërkohë që Keneth Muguna është bashkuar me grupin dhe është në dispozicion të trajnerit. Tirana prej dy ditësh është grumbulluar në Elbasan, për t’u përgatitur sa më qetësisht. Kuptohet, kanë dalë në shitje edhe biletat për këtë ndeshje, e cila organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Tifozët bardheblu do të vendosen në tribunat A3, A4, B4, B5, C1, C2, C3. Në tribunat e tjera do të jenë mbështetësit krutanë. Biletat po shiten te biletaria pranë stadiumit “Selman Stermasi” dhe te biletaria pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Çmimet e biletave janë: Tribuna A3, A4, B4, B5 – 500 lekë (te reja), ndërsa tribuna C1, C2, C3 – 200 lekë, për tifozët kryeqytetas. E njëjta gjë vlen edhe për krutanët, në pjesën tjetër të stadiumit.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar