• Tirana konfirmon tre mungesat pa arsye, Nika zyrtarizon divorcin

    Publikuar: 7 Jan 10:53

    Ndonëse nuk e zyrtarizon largimin e tyre, skuadra e Tiranës, përmes zyrtarëve të saj ka njoftuar mosgrumbullimin e Nikës, Muzakës dhe Vucajt për zhvillimin e fazës përgatitore në Antalia të Turqisë. Mungesa këto që edhe nga vetë zyrtarët bardheblu nuk konsiderohen si provizore, sikurse janë cilësuar ato të Takut, Likës, Merveil, Moise dhe Teqjes, të cilët pritet të bashkohen me kontigjentin në ditët në vijim. Një qëndrim ky i klubit bardheblu që paralajmëron largimin përfundimtar të tre futbollistëve, teksa ndër të tjera, njoftimi në “Facebook” cilëson: “….Me ekipin do të bashkohen Afrim Taku, Ilion Lika, Merveil, Moise dhe Olsi Teqja. Gjithashtu jane projektuar edhe perforcimet e kerkuara nga stafi teknik. Me ekipin nuk jane bashkuar në fazë përgatitore Ansi Nika, Gjergji Muzaka dhe Erjon Vucaj…”.

    Ndërkohë, nga Tirana, vetë njëri prej tre të pagrumbulluarit, konkretisht Ansi Nika ka konfirmuar zyrtarisht largimin e tij nga bardheblutë. “Tashmë nuk jam më pjesë e skuadrës së Tiranës. Bashkë me drejtuesit e ekipit gjetëm dakordësinë që ta ndërpresim kontratën. Personalisht i uroj suksese ekipit të Tiranës dhe presidentit Halili që ka qenë korrekt me mua për çdo gjë. Ky largim vjen pas kërkesës time për ta ndërprerë marrëdhënien me Tiranën. I uroj suksese ekipit të Tiranës, shokëve dhe presidencës. Konkretisht kam disa oferta nga skuadrat e Superligës, për të qenë pjesë e tyre, por nuk kam vendosur ende. Besoj se shumë shpejt, në ditët në vijim do të bëhet publik ekipi im i ardhshëm”, është prononcuar vetë futbollisti, Ansi Nika gjatë ditës së sotme, duke konfirmuar largimin e tij nga Tirana.


    Lexo postimet e tjera