Kampionati Shqiptar

Tirana likujdon Vllazninë, ja çerekfinalistët e Kupës së Shqipërisë

Sot u luajtën ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Epiqendra ka qenë në “Loro Boriçi”, ku është zhvilluar kryesfida e këtij “stacioni” të garës, mes Vllaznisë dhe Tiranës. Një klasike e futbollit shqiptar, që ka prodhuar jo pak emocione, luftë të fortë sportive, por edhe dy kartonë të kuq (minuta e 29-të: Kryesori Enea Jorgji ndëshkon me karton të kuq dy futbollistët, Hoxhallari dhe Krymi). Goli i Kalajës, në minutën e 60-të, i posafutur në lojë, ka krijuar iluzione te vendësit, se mund të barazpeshojnë, më së pari, disavantazhin 2-0, të fiksuar në kryeqytet, ndeshjen e parë. Mirëpo, vendosmëria e bardhebluve ka qenë e madhe, duke mos lejuar tjetër gol në portën e tyre dhe vijuar përpara. Sfidat e tjera e kishin zgjidhur enigmën e atij që vazhdon më tej në këtë kompeticion që në ndeshjet e para. Luftëtari, që kishte barazuar në Ballsh para dy javëve, ishte përveshur mirë, me titullarët, për kthimin. Por, vonesa në mbërritje e mallakastriotëve (mbi 45 minuta) ka bërë që të mos luhet në Gjirokastër. Kësisoji, pritet fitorja 3-0 në tavolinë për bluzinjtë dhe kualifikimi i tyre për në raundin vijues. Nisur nga rezultati i ndeshjes së parë, edhe çifti Teuta-Kamza dukej interesant, por durrsakët kanë treguar se kanë më shumë oreks në Kupën e Shqipërisë. Ata kanë fituar 4-0 dhe përparojnë më tej në këtë garë.

Kurbinasit e kishin “vulosur” kualifikimin që në ndeshjen e parë me Lushnjën, kur fitonin 3-1. Sfida e kthimit, e ditës së sotme, ka shërbyer si një test kontrolli për të dyja palët, që janë sy e veshë nga sfidat e fundjavës në kampionat. Skënderbeu ka vuajtur me formacionin e dytë ndaj lezhjanëve. Pas fitores minimale në “Brian Filipi”, para dy javësh, juglindorët e Ilir Dajës e kanë pritur Besëlidhjen në Kavajë. Aty kanë triumfuar 3-1, çka mjafton për të parë nga kundërshtari i radhës në Kupën e Shqipërisë. Partizani nuk është tendosur shumë ndaj liqenorëve të Kategorisë së Parë. Starova ka dasdhur t’i shohë të tijtë në veprim, duke i kursyer energjitë për transfertën e kampionatit në fundjavë, ndaj Luftëtarit. Golat e Filit, Prognit dhe Bathës kanë mjaftuar për “demat”, që të kalojnë me lehtësi në raundin e ardhshëm. Flamurtari nuk ka pasur mëshirë për Turbinën. Pasi bëri goleadë ndaj saj, në Cërrik, e ka kthyer në “festival golash” edhe ditën e sotme, në Vlorë. Të njëjtën qasje ka treguar edhe Kukësi ndaj shijakasve, në sfidën e luajtur në Pezë. Tashmë, të kualifikuarit për në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë janë këto skuadra: Kukësi, Skënderbeu, Teuta, Tirana, Partizani, Luftëtari, Flamurtari dhe Laçi.

 

Kupa e Shqipërisë, turi i dytë
Grupi A
KUKËSI-ERZENI   5-1 
(4-1)
Golat: Koldashi 12′, 25′, Ethemi 38′, Aliev 55′, Shtubina 62’/ Troplini 67′

SKËNDERBEU-BESËLIDHJA  3-1 (1-0)
Golat: Kelmendi 3’, 82’, Demte 74’ / Kamara 27′

TEUTA-KAMZA  4-0 (1-1)
Golat: Hila 33′ (pen), 70′, Beqaj 82′, Osamene 86′

VLLAZNIA-TIRANA  1-0  (0-2)
Golat: Kalaja 60’

 

Grupi B
LAÇI-LUSHNJA  0-1 (3-1)
Golat: Byzhyti 78′

FLAMURTARI-TURBINA  5-2 (6-1)
Golat: Toungara 26’, Liçaj 32’ (pen), Diamanti 60, Tushi 69, Muçollari 75 / Sallaku 42’, 90′

PARTIZANI-POGRADECI  3-0 (1-0)
Golat: Fili 55′, Progni 71′, Batha 75’

LUFTËTARI-BYLIS  (s’u luajt) (1-2)


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar