Basketboll

Tirana tjetër zhgënjim në Ligën Ballkanike, humbet në Bullgari ndaj Academic

Tirana në basketboll për meshkuj është mundur 90-69 nga skuadra bullgare e Academic Bultex, në ndeshjen e javës së dytë të Ligës Ballkanike (BIBL), takim që u luajtur në Plovdiv. Kjo është humbja e dytë e bardhebluve të trajnerit Doukas në këtë turne në po kaq ndeshje të luajtura, duke mos gjetur ende rrugën drejt fitores së parë në këtë turne ballkanik. Një ndeshje e dominuar dhe fituar me meritë nga skuadra vendase, që para publikut të saj nuk zhgënjeu, duke qenë vazhdimisht në epërsi dhe korri suksesin e dytë në këtë turne.

Nga ndeshja Academic Bultex – Tirana, 90-69

Tirana luan më mirë se sa një javë më parë, kur mundej në Maqedoni, por skuadra e Academic ka një epërsi të lehtë dhe krijon një shkëputje të lehtë nga perioda në periodë, duke udhëhequr 49-36 në përfundim të pjesës së parë. Një avantazh që do të thellohej edhe më shumë në 20 minutat e dyta, me bardheblutë që tentojnë e rivalizojnë, por pa forcën e duhur dhe nuk janë në gjendje të rihapin ndeshjen. Academic është e kujdesshme dhe e saktë, duke administruar epërsinë dhe thelluar atë dhe në fund mori një sukses të merituar. Sfida e radhës, pas një jave në Tiranë ndaj kosovarëve të Bashkimi.

Academic Bultex – Tirana, 90-69 (23-18, 26-18, 20-16, 21-17)

ACADEMIC BULTEX: Vaklinov, Johnson, Sekulov, Umipig, Smith, Jardim, Bachev, Stavrev, Penev, Nguirane, Durchec, Mihaylov. Trajner: Asen Nikolov

TIRANA: Brchkov, Hysenagolli, Karaj, Lasku, Hasani, Gjyzeli, Hysa, Shima, Strazimiri, Popovic, Abdul-Bassit, Beqo. Trajner: Antonios Doukas

Gjyqtarw: Aleksandar Davidov, Daut Mehmeti, Ivan Mijalkovski

Më shumë nga Basketboll