RUSI 2018

Tite: Brazili humbi Neymar, por po fitojmë edhe pa të…

Tite ka përshëndetur skuadrën e tij, Brazilin, që po mësohet të fitojë edhe pa të dëmtuarin, superstarin Neymar. Sulmuesi i PSG ka thyer një “metatarsal” të këmbës së djathtë në shkurt dhe rrjedhimisht i është nënshtruar një operacioni, duke lënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës. Në mungesë të Neymar, Brazili mposhti Rusinë 3-0, para se të shënonte fitoren  1-0 kundër Gjermanisë, të martën, për të kryer në një masë të vogël hakmarrje për goditjen 7-1, që “Selecao” mori kundër “Die Mannschaft” në gjysmëfinalen e “Botërorit 2014”. Tite e kishte përshkruar Neymar si “të pazëvendësueshëm” përpara miqësoreve, por ishte i lumtur me mënyrën se si skuadra e tij iu përgjigj, duke luajtur pa yllin e saj. “Lojtari ynë më i mirë ishte jashtë, – tha trajneri brazilian. – Brazili humbi Neymarin, por ne po mësojmë të luajmë e të jemi të fortë edhe pa të. Kjo na ndihmon për të gjeneruar forcën e skuadrës”.
Tite e di se fitorja në Berlin nuk do të jetë e mjaftueshme për të çrrënjosur dhimbjen e poshtërimit të katër viteve më parë në Kupën e Botës së zhvilluar në Brazil, por beson se ajo disfatë duhet t’i përkasë të kaluarës. “Është e vërtetë se ekziston një fantazmë e vazhdueshme mbi ne, – shtoi ai. – Unë e kam ndier që disa lojtarë, madje, janë përpjekur të mos flasin për këtë. Kjo është jeta, është e kaluara, por njerëzit nuk do të harrojnë vetëm për shkak se kemi fituar në këtë miqësore”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga RUSI 2018