Kampionati Shqiptar

Tomori: Humbja me Laçin, një aksident. Partizani është për titull!

Pas humbjes në startin e kampionatit të ri, Partizani ka zhvilluar sot stërvitjen e parë. Lojtarët e kuq janë shfaqur kokulur, pas disfatës 2-0 me Laçin, e cila i ka shkundur. Dihen objektivat e 15 herë kampionëve të vendit, ndaj mbi titullin kampion, për të cilin është investuar shumë, nuk mund të dalë asnjë emër i përveçëm, qoftë ky kapiteni Alban Hoxha apo mesfushori Idriz Batha. Këtë mesazh ka dashur të japë edhe drejtori i përgjithshëm i “demave”, Genc Tomori: “Nuk e nisëm në mënyrën më pozitive kampionatin dhe për këtë gjë nuk na vjen mirë. Zhgënjyem me rezultat. Megjithatë, ishte vetëm ndeshja e parë, Humbëm 3 pikë në shtëpi, ndihemi paksa të zhgënjyer, pavarësisht se jemi vetëm në startin e kampionatit.

Objektivat nuk ndryshojnë dhe Partizani do të synojë titullin. Ajo që ndodhi ndaj Laçit ishte thjesht një aksident. Ekipi duhet të bënte më shumë, pasi në ndeshjet e para duhen grumbulluar pikët. Kjo është merkatoja më e mirë që klubi ka bërë krahasuar me vitet e tjera. Ishte një ndeshje e cila nuk duhej humbur. Përsa iu përket përforcimeve nuk mund të vlerësohen në një ndeshje të vetme, por në vazhdimësi. Edgar Çani është pjesë e skuadrës dhe kjo mendohet të jetë java e tij. Megjithatë, do të varet nga gjendja e futbollistit dhe nga stafi teknik. Nuk ka çështje “Hoxha”, por mungesa e tij në fushë ishte një tregues se klubi i mëshon disiplinës. Përsa i takon mosaktivizimit të Bathës, po flasim vetëm për një ndeshje, në të cilën nuk luajtën as Malota e Krasniqi. Te Partizani ka 23 futbollistë, që janë të gjithë rëndësishëm”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar