Kampionati Shqiptar

Tomorri: Merkato të studiuar, edhe Sukaj i Partizanit!

Drejtori i përgjithshëm i klubit të kuq, Genc Tomorri, i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për merkaton.

Drejtori i përgjithshëm i klubit të kuq, Genc Tomorri, i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për merkaton. Ai ka konfirmuar Xhevahir Sukajn si pjesë e Partizanit në vazhdim, ndërsa si “përforcim” ka vlerësuar edhe Mentor Mazrekajn, që ka lënë tashmë pas dëmtimin e gjatë dhe është gati të luajë rregullisht. Dy fjalë në përgjigjet e tij ka thënë edhe për rivalitetin e titullit kampion, duke mos përjashtuar as Tiranën në këtë “korsi” të Superiores.

boniface-3

Cili do të jetë prezantimi i radhës te Partizani?
E kam thënë dhe më përpara, që nuk do të ketë ndryshime të mëdha në merkaton e janarit. Ne jemi shumë të kënaqur me skuadrën e dy fazave të para. Kemi zhvilluar një gjysmë të parë të kampionatit shumë të mirë. Natyrisht, dëshironim të ishin ne të parët në klasifikim, si kampionë dimri. Do të jenë lëvizje më të pakta, por të studiuara më mirë se çdo vit tjetër, që të marrim maksimumin e secilit. Këtë vit, e them me bindje, kemi zhvilluar edhe lojëra shumë të mira, përveç pikëve. Kjo na jep akoma më shumë besim për realizimin e objektivit.

genc-tomorri-dhe-boniface

Si e shikoni rivalitetin me Skënderbeun dhe Kukësin?
Rivalitet kemi me të gjithë, sepse pikët vlejnë njësoj si me Kukësin, që mban kreun, edhe me Korabin, që aktualisht mbyll renditjen. Rivaliteti për titull nuk besoj të jetë në tri, por mes katër skuadrash. Pra, përfshij edhe Tiranën në këtë luftë. Kanë mbetur për t’u luajtur edhe dy faza, në të cilat kush do të jetë më i përqendruar, kush do të tregojë më shumë efikasitet e sa më pak gabime, do të triumfojë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, me vullnet në dispilinë në çdo drejtim. Shoh një betejë forcash e nervash mes katër skuadrave, se kush do ta mbyllë i pari në fund të garës. Shpresoj të jemi ne kampionët në fund.

boniface

Si është situata me Sukajn?
Ai është përforcimi ynë, është pjesë e Partizanit. Vlerat e Sukajt i dimë, nisur edhe nga ato që ka dhënë me skuadrën tonë herën e parë, sezonin e kaluar. Problemet shëndetësore them se janë në fund, edhe nga një kontroll mjekësor i kryer këto ditë. Sukaj ka marrë vlerësime pozitive që të jetë në stërvitje. Ai është një vlerë e shtuar, ashtu si Mazrekaj, që nuk ka qenë në 100 për qindëshin e tij këtë sezon, për shkaqe që ju i dini tashmë. Merkato ka filluar dhe mbyllet më 31 janar. Më datë 6 nisemi për në Turqi, ku do të zhvillojmë një fazë përgatitore. Do të luajmë edhe dy ndeshje miqësore me kundërshtarë shumë të mirë.

Boniface tha se klubi i Partizanit është sjellë me të si një prind…
Ne nuk jemi sjellë në këtë mënyrë vetëm me Boniface, por edhe me lojtarët e tjerë. Te Partizani edhe janë larguar lojtarë, por nuk kanë pasur asnjë hatërmbetje a problem. Sjellja e klubit ka qenë dhe do të jetë shembullore. Për përshtypjet nga ana teknike është trajneri që vendos.

Sukaj

E keni fituar betejën me Skënderbeun për sulmuesin nigerian, që prezantuat. A mendoni se do ta fitoni edhe luftën për titull?
Përveç merkatos, fituam edhe ndeshjen e fundit që kishim në Korçë. Të vazhdojmë kështu e me radhë, duke i fituar betejat një e nga një, sepse kështu fitohet edhe lufta në fund. Shpresoj të jemi ne përpara dhe kampionët e vendit në fund të garës.  

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar