Connect with us

Futboll

Torino-Inter, është Belotti kundër Icardi-t

Java e 29-të e Serie A do të hapet me sfidën Torino-Inter në 18:00, ku do të zbresin në skenë përballë njëri-tjetrit dy nga sulmuesit më të mirë të kampionatit elitar italian: Andrea Belotti dhe Mauro Icardi. 22 gola për “Gjelin” dhe 20 për Maurito-n i cili sot ka objektiv ta arrijë e madje ta tejkalojë kolegun granada që kryeson listën e golashënuesve: Do t’i duhet një trigolësh, një specialitet ku në fakt më i avantazhuar është Belotti në këtë sezon (2 kundrejt 1). Më e mundshme që argjentinasi të shënojë dygolësh, ashtu siç ndodhi edhe në vajtje ku ishte Icardi ai që fitoi sfidën personale ndaj Belotti-t në “San Siro”. Por “Gjeli” ka dy ndeshje radhazi që shënon kundër Inter-it dhe është në kërkim të së tretës.  Të dy me numrin 9 në fanelë, Icardi dhe Belotti kanë aftësinë të shënojnë në të gjitha mënyrat dhe janë absolutisht “vrasës” në 16 metrat. Edhe pse sulmuesi i Torino-s, krahasuar me kolegun, duhet të perfeksionojë aftësitë e tij nga pika e bardhë e penalltisë.

Rrugëtimi i tyre deri në këtë moment ka qenë shumë i ndryshëm: Icardi ka nisur te të rinjtë e Barcelona-s dhe përfundoi shumë shpejt tek Inter-i pas një sezoni të madh me Sampdoria-n, ndërsa Belotti ka ndjekur rrugën klasike duke nisur nga Albinoleffe, për të vijuar te Palermo dhe në fund te Torino, ku ka gjetur ambientin ideal për të shpërthyer. Icardi dhe Belotti kanë të ndryshëm edhe raportin e tyre me kombëtaren. Argjentinasi nuk gëzon konsideratën e madhe nga ana e teknikut Bauza, që vijon të preferoje Pratto-n dhe Alario, ndërsa italiani i ka bërë vetes vend në zemrën e Ventura-s dhe konsiderohet si një pikë e palëvizhme në kombëtaren e kaltër për të tashmen e mbi të gjitha për të ardhmen.

Ndërkohë pikë të përbashkët kanë klauzolën çliruese, me tre shifra: 100 milionë euro e Belotti-t, 110 për Icardi-n, të dyja të vlefshme vetëm jashtë kufijve të Italisë. Por nëse Maurito ka rinovuar dhe konsiderohet i paprekshëm, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për “Gjelin” që në verë do të shtyjë shumë klube të trokasin në derën e Torino-s.

Më shumë nga Futboll