• Torres pas incidentit të frikshëm: “Do të kthehem shpejt!” (video)

    Publikuar: 3 Mar 8:45

    Sfida e së enjtes mbrëma mes Deportivo La Coruna dhe Atletico Madrid-it është shoqëruar nga një moment i frikshëm nga fundi i saj. Fernando Torres, sulmuesi i Atletico-s ka humbur ndjenjat pas një përplasje me Alex Bergantinos, të Deportivo-s: koka e ish-slumuesit të Milan-it ka goditur fort terrenin e lojë pas përplasjes në ajër, pak minuta nga fundi i ndeshjes. El Nino-s i është dhënë ndihma e parë nga shokët e tij dhe të skuadrës kundërshtare: me shpejtësi atij i është nxjerrë gjuha, duke shmangur më të keqen. Më pas Torres është transportuar nga stafi mjekësor në spital i shoqëruar nga sytë e dëshpëruar të lojtarëve të të dyja skuadrave. Ndërkohë që “Riazor”-i oshëtinte nga një duartrokitje e gjatë për sulmuesin e Simeone-s.

    Shumë i tronditur shoku i skuadrës Gimenez, i cili nuk e shihte dot Torres-in pa ndjenja. Pasi ka mbërritur në spitalin më të afërt, Torres është përmendur: traumë në kokë për sulmuesin spanjoll, që e ka kaluar natën nën vëzhgimin e mjekëve dhe që për fat të mirë tashmë është jashtë rrezikut për jetën.  “Ju falenderoj që jeni shqetësuar për mua dhe për mesazhet mbështetëse – ka shkruar në Twitter gjatë natës Torres – Ishte vetëm një moment frike. Shpresoj të kthehem shumë shpejt!”

     

    Ndeshja në “Riazor” është mbyllur disa minuta pas incidentit, sigurisht në mënyrë të sforcuar pasi mendjet dhe zemrat e lojtarëve në fushë, arbitrave dhe dy shoqërive ishin vetëm tek El Nino. Goditja e brutale në fushë dhe ankthi që e pasoi solli në kujtesë shumë skena të frikshme dhe të dhimbshme që kanë ndodhur më parë, si në rastin e Morosini-t, Puerta-s, Foe apo Feher. 1-1 përfundoi mes Deportivo La Coruna-s dhe Atletico Madrid-it, por për Colchoneros dhe dashamirësit e futbollit kjo pak rëndësi kishte: thelbësore ishte që Torres u zgjua pas minutave të frikshme në fushën e lojës dhe dhomat e zhveshjes. Kontrollet e hollësishme në kokë nuk kanë treguar dëmtime traumatike.

    “Do të thotë shumë për klubin dhe për ne”, ka thënë Filipe Luis pas vërshëllimës finale të takimit. “Ishte e vështirë të luaje pas asaj që i ndodhi Fernando-s. Në futboll ndodhin këto gjëra, por shpresojmë që ai të kthehet shpejt për të luajtur për ne”.

    Vetë klubi i Atletiko Madrid-it, ka siguruar tifozët në rrjetet sociale: “Faleminderit për mesazhet e përzemërta, Fernando është zgjuar dhe është i vetëdijshëm. Do të qëndrojë nën vëzhgim dhe të premten do të bëhen disa ekzaminime të tjera”. Ndërkohë Cholo Simeone në konferencën e shtypit: “Jemi të shqetësuar dhe nervozë për atë që ndodhi, shpresojmë që Torres të kthehet sa më parë”.


    Lexo postimet e tjera