Champions League

Tottenham-Juventus: Anglia, tokë e mallkuar për “Zonjën”

Akti i dytë i përballjes së 1/8-ve të Champions League mes Tottenham dhe Juventus do të zhvillohet mbrëmjen e sëmërkurës në “Wembley”. Anglezët janë favoritë për t’u kualifikuar pasi italianët shpërdoruan një avantazh prej dy golash në takimin e luajtur para tri javësh në Torino, i mbyllur në barazim 2-2.

Dy gola të Gonzalo Higuain ndihmuan “Zonjën e Vjetër” të shkonte në 2-0 kundër anglezëve në 10 minutat e para të ndeshjes, por disa gabime në mbrojtje kanë ndihmuar Harry Kane me shokë të realizojnë 2 gola shumë të rëndësishëm në transfertë. Gjithsesi, të dy ekipet do të paraqiten në formë të mirë në këtë takim.

Tottenham ka mundur 2-0 Huddersfield fundjavën e kaluar dhe ka çuar në 17 numrin e ndeshjeve të njëpasnjëshme të luajtura në të gjitha kompeticionet pa pësuar humbje. Për më tepër, ata kanë fituar 7 takime radhazi në shtëpi dhe kanë pësuar vetëm një gol në këto takime. Juventus, nga ana tjetër, ka pasur një ndeshje të vështirë kundër Lazio-s, por bardhezinjtë kanë arritur të marrin tri pikët në minutën e fundit të ndeshjes falë një goli të Paulo Dybala.

Falë këtij rezultati, skuadra e Allegri-t ka shkuar 1 pikë larg Napoli-t kryesues dhe ka një ndeshje për të rikuperuar. Ata janë të pamposhtur në 20 ndeshjet e fundit 17 prej të cilave kanë qenë fitore. Gjithashtu, ata kanë fituar 10 ndeshjet e fundit të luajtura në transfertë dhe kanë pësuar vetëm 1 gola në këto sfida.

Shifra dhe Fakte

– Ndeshja e luajtur 13 shkurtin e kaluar është e vetmja përballje zyrtare mes këtyre dy skuadrave.
– “Spurs” nuk kanë pësuar asnjë humbje kundër skuadrave italiane në ndeshjet e luajtura në shtëpi: 4 fitore, 3 barazime.
– Juventus nuk ka një ecuri të mirë në ndeshjet e luajtura kundër ekipeve angleze në transfertë: vetëm 3 fitore në 21 sfida, 6 barazime dhe 12 humbje.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Champions League