Futboll

Trajneri Gjoka u kërcënua me vdekje, Vllaznia kërkon shtyrjen e ndeshjes

Menjëherë pas ngjarjes së zezë që ka mbuluar futbollin shqiptar, pas lajmit se nje person i armatosur me thikë ka tentuar të godasë trajnerin Ernest Gjoka, në ambientet stërvitore të ekipit shkodran, ka reaguar edhe vetë klubi i Vllaznisë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, drejtuesit e klubit kuqeblu, duke dënuar aktin ekstrem, të konsideruar edhe me prapavijë të qëllimtë dhe të sponsorizuar e të mirëmenduar nga qarqe që duan të dëmtojnë skuadrën, si dhe duke apeluar që policia të zbardhë sa më parë ngjarjen, kërkoi nga FSHF, shtyrjen e ndeshjes ndaj Luftëtarit.

DEKLARATË PËR SHTYP

“Bashkia e Shkodrës dhe KF Vllaznia janë njohur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Fushën e Lëkurave, ku pas stërvitjes është goditur dhe kërcënuar me jetë trajneri i ekipit të parë Ernest Gjoka. Menjëherë, traineri Gjoka, drejtuesit e Bashkisë dhe të Klubit, kanë komunikuar me Policinë e Shtetit duke i vënë në dijeni për ngjarjen si dhe duke u kërkuar zbardhjen e plotë të saj dhe arrestimin e agresorit. Ky akt i turpshem, i cili nuk ka lidhje me qytetarinë e spikatur shkodrane, dënohet me vendosmërine më të madhe nga ana e Bashkisë, Klubit, stafit drejtues- teknik dhe futbollistëve. Nuk përjashtojmë mundësinë e një prapavije të qëllimtë, ndoshta edhe të sponsorizuar, por që mbetet në duart e organeve kompetente që të zbardhet plotësisht. Aktin e goditjes dhe të kërcënimit me jetë me armë të ftohtë- thikë të trainerit Gjoka, futbollistët, stafi teknik dhe drejtues i KF Vllaznia, Bashkia e Shkodrës dhe tifozët e shumtë e konsiderojnë si goditje të qëllimshme, të mirëmenduar të dikujt/disave që duan të demtojnë Vllazninë në momentin e saj ndoshta më të mirë. Në këto kushte Klubi dhe Bashkia e Shkodrës do t’i kerkojne FSHF-se shtyrjen e takimit me Luftëtarin në Gjirokastër në një datë tjetër”, përfundon komunikata e klubit shkodran.

Më shumë nga Futboll