Femra

Trajneri Martiri: Miqësoret do na tregojnë punën e bërë

Pas 10 ditësh stërvitje intensive, në parket e palestër, ka ardhur koha për kombëtaren e femrave të volejbollit të testojë veten, për të parë punën e bërë. Këtë fundjavë, vajzat e drejtuara nga trajneri Altin Martiri do të jenë fillimisht në Mal të zi dhe më pas në Kosovë, ku do të ndeshen me përfaqësueset e këtyre dy shteteve fqinje. Ndeshje që do të shërbejnë për të kuptuar se cilët janë anët pozitive e negative, ku duhet punuar më tej, deri më 9 qershor, kur luhet ndeshja e parë në Ligën e Europës. “Stërvitja ka shkuar në përgjithësi mirë dhe jam i kënaqur nga skuadra me impenjimin dhe punën e bërë. Skuadra është më e mobilizuar dhe ka më shumë dëshirë për të bërë një paraqitje të mirë në arenën ndërkombëtare. Kjo na motivon të gjithëve”, deklaroi trajneri Altin Martiri.

Volejbollistet e kombetares gjate nje ndeshje

Trajneri i kombëtares kuqezi pret me padurim këto ndeshje miqësore për të parë se ku duhet ndërhyrë nga e hëna, kur skuadra të rinisë punën në parket. “Deri diku, bashkë me stafin dhe skuadrën, kemi kristalizuar idetë në lidhje me formacionin, por këto miqësore janë ato që do të na japin më shumë informacion. Këto ndeshje nuk vlejnë shumë për rezultatin se sa për të kuptuar gjendjen e ekipit dhe për të parë më nga afër veprimet taktike të lojës”, u shpreh Martiti. Kombëtarja e femrave do të niset nesër paradite drejt Malit të Zi dhe në mbrëmje do të zhvillojë një test me kombëtaren e këtij vendi në Budva. Ndërsa të premten në mesditë do të zhvillojë miqësoren zyrtare. E njëjta linjë edhe në Kosovë, ku kombëtarja do të zhvillojë sërish dy miqësore (në Gjilan) me ekipin vendës ditën e shtunë.

Nga nje ndeshje e kombetares ne Ligen Europiane 2016

Më shumë nga Femra